Nis gjyqi i ri ndaj Harvey Weinstein në New Jork, në fokus akuza për përdhunim ndaj aktores Jessica Mann

14/04/2026 21:59

Gjyqi i ri për përdhunim ndaj ish-manjatit të filmave Harvey Weinstein ka nisur të hënën në Manhattan, pasi një proces i mëparshëm nuk arriti në një vendim në qershor 2025.

Ky gjykim përqendrohet në akuzën për përdhunim të vitit 2013 ndaj aktores Jessica Mann. Megjithatë, edhe në rast të një lirimi të mundshëm, Weinstein nuk do të dalë nga burgu, pasi është i dënuar për çështje të tjera.
Ish-producenti 74-vjeçar u paraqit në gjykatë në një karrige me rrota, i veshur me kostum të errët dhe kravatë gri. Procesi i përzgjedhjes së 12 anëtarëve të jurisë nisi rreth orës 12:30 dhe pritet të zgjasë disa ditë.
Zëdhënësi i tij, Judah Engelmayer, deklaroi se Weinstein “vazhdon të shpresojë për një gjykim të drejtë”, duke këmbëngulur në pafajësinë e tij.
Në gjyqin e mëparshëm në Manhattan, Weinstein u shpall fajtor për sulm seksual në vitin 2006 ndaj ish-asistentes Miriam Haley, ndërsa u shpall i pafajshëm për një tjetër akuzë të po atij viti ndaj modeles polake Kaja Szkoła. Çështja që lidhet me Jessica Mann u shpall e pavlefshme për shkak të tensioneve gjatë diskutimeve të jurisë.
Ndërkohë, vendimet e mëparshme ndaj tij mbeten në fuqi. Në vitin 2023, Weinstein u dënua në Kaliforni me 16 vite burg për përdhunimin e një aktoreje evropiane, vendim të cilin ai e ka apeluar, me një seancë të re të caktuar për 23 prill.
Për këtë proces, ai ka ndryshuar ekipin ligjor, duke angazhuar avokatët Jacob Kaplan dhe Mark Agnifilo. Mbrojtja ka kërkuar shtyrjen e gjyqit, ndërsa gjykatësi Curtis Farber po shqyrton çështjen.
Weinstein, i cili mbahet në burgun Rikers Island, ka deklaruar se gjendja e tij shëndetësore po përkeqësohet dhe se përballet me kërcënime dhe dhunë gjatë qëndrimit në izolim.
Që nga viti 2017, më shumë se 80 gra e kanë akuzuar ish-producentin për sulme seksuale, në një nga skandalet më të mëdha në industrinë e filmit.

Top Channel