“Djali i Khameneit i shfytyruar”, Reuters: Plagë të rënda në fytyrë e këmbë

11/04/2026 09:55

Duke cituar tre persona të rrethit të tij të brendshëm, agjencia e njohur e lajmeve Reuters vulos dyshimet mbi liderin e ri Suprem të Iranit.

Mojtaba Khamenei, sipas Reuters, ka marrë vërtet plagë të rënda në fytyrë e këmbë gjatë sulmit ajror që i kushtoi jetën babait të tij, dhe ende po merr veten prej tyre. Burimet në fjalë pohojnë se fytyra e Khameneit u deformua gjatë sulmit në kompleksin e liderit suprem në qendër të Teheranit.

Ai ka pësuar po kështu dëmtime të konsiderueshme në njërën ose në të dyja këmbët. Por teksa po rikuperohet nga plagët, Mojtaba sipas Reuters është mendërisht i kthjellët, po merr pjesë në takime me zyrtarë të lartë përmes telekonferencave dhe është i përfshirë në vendimmarrje për çështje të mëdha, duke llogaritur këtu edhe negociatat me Uashingtonin.

Pyetja nëse shëndeti i Khameneit i lejon atij të drejtojë çështjet shtetërore vjen në një moment të rrezikshëm për Iranin, me bisedimet e paqes që priten në kryeqytetin pakistanez. Vendndodhja, gjendja dhe aftësia për të udhëhequr vendin nga ana e Khameneit mbeten kryesisht një mister për publikun, në një kohë kur nuk ka pasur asnjë foto, video apo regjistrim audio të publikuar që nga sulmi ajror dhe emërimi i tij si zëvendësues i të atit në 8 mars.

Misioni i Iranit pranë Kombeve të Bashkuara nuk u përgjigj pyetjeve të Reuters për shkallën e plagëve të Khameneit ose për arsyen përse ai nuk është shfaqur ende në publik.

 

Top Channel