Kina “nuk fshihet më”, CNN: Shpalosi planin për të sfiduar dollarin për dominim

04/02/2026 14:17

Kina po shfrytëzon atë që e sheh si “mundësi të artë” për të sfiduar dominimin e SHBA-së në financat globale dhe për të ushtruar ndikim më të madh ndërkombëtar, në dëm të dollarit amerikan, që prej kohësh është konsideruar si monedha e “gjithëfuqishme”.

Paqëndrueshmëria gjeopolitike, e nxitur në masë të madhe nga politikat ekonomike shpesh kaotike të presidentit Donald Trump, ka përfshirë tregjet e aksioneve këto javë, me monedhën e gjelbër që ka rënë në nivelet më të ulëta të katër viteve të fundit. Ndërkohë, investitorët po orientohen drejt aseteve të sigurta, duke e çuar çmimin e arit në nivele rekord prej mbi 5.500 dollarësh për ons.

Kjo i ka dhënë Kinës një hapësirë për të promovuar monedhën e saj si një alternativë të qëndrueshme. Gjatë fundjavës, revista kryesore ideologjike e Partisë Komuniste të Kinës publikoi deklarata të presidentit Xi Jinping, në të cilat ai paraqiti planet për ta shndërruar në një monedhë rezervë globale renminbin, që zëvendëson termin juan në dokumentet zyrtare dhe financiare.

Ky është roli që aktualisht e luan dollari amerikan – monedha kryesore për shumicën dërrmuese të transaksioneve ndërkombëtare, duke e bërë atë një nga investimet më të sigurta në botë. Askush nuk pret që kjo të ndryshojë së shpejti, shkruan CNN, megjithatë, rënia e ndjeshme e vlerës së dollarit që nga rikthimi i Trump në detyrë vitin e kaluar duket se i ka hapur derën një sfidanteje të mundshme si Kina.

Sipas revistës Qiushi, Xi u ka thënë zyrtarëve qeveritarë se Kina duhet të synojë krijimin e “një monedhe të fortë, të përdorur gjerësisht në tregtinë ndërkombëtare dhe në këmbimet valutore”, e mbështetur nga një “bankë qendrore e fuqishme” dhe me aftësinë për të tërhequr investime dhe për të ndikuar në formimin e çmimeve globale.

Komentet e liderit kinez janë bërë privatisht që në vitin 2024, vazhdon CNN, por janë publikuar tani, në një kohë kur Kina po pozicionohet si një partner ekonomik dhe politik më i besueshëm sesa Shtetet e Bashkuara – dhe po fillon të shohë edhe rezultatet e para.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB