Telashe për Amazon, Australia e padit: U kërkoi abonentëve të paguanin tarifë shtesë për të shmangur vieo-reklamat

30/06/2026 22:47

Autoriteti australian për mbrojtjen e konkurrencës dhe konsumatorit ka ngritur padi ndaj Amazonit, duke e akuzuar kompaninë për përdorimin e kushteve kontraktuale të padrejta pasi prezantoi reklama në shërbimin Prime Video dhe u kërkoi abonentëve të paguanin tarifë shtesë për t’i shmangur ato.

Komisioni Australian i Konkurrencës dhe Konsumatorit (ACCC) pretendon se Amazon ka shkelur ligjin për mbrojtjen e konsumatorit duke lidhur kontrata të padrejta me më shumë se një milion abonentë vjetorë gjatë periudhës nga nëntori 2023 deri në gusht 2025.

Kryetarja e ACCC-së, Gina Cass-Gottlieb, tha se konsumatorët që dëshironin të vazhdonin të përdornin Prime Video pa reklama nuk kishin alternativë tjetër veçse të paguanin më shumë për të ruajtur shërbimin për të cilin ishin regjistruar fillimisht.

Sipas padisë, Prime Video ishte ofruar për më shumë se një dekadë si një shërbim pa reklama, i përfshirë në abonimin Prime. Megjithatë, në fillim të vitit 2024, Amazon nisi të shfaqte reklama në platformë edhe në Australi, duke u kërkuar abonentëve një pagesë shtesë mujore për versionin pa reklama, çka e rriti çmimin e abonimit në 12.99 dollarë australianë në muaj.

ACCC thekson se në atë kohë mbi 850 mijë australianë kishin parapaguar abonimin vjetor Prime dhe, sipas autoritetit, atyre iu ofrua një shërbim i ndryshuar dhe me reklama për pjesën e mbetur të abonimit, përveç rastit kur pranonin të paguanin tarifën shtesë.

Padia pretendon gjithashtu se Amazon u mbështet në pesë kushte kontraktuale që i lejonin kompanisë të ndryshonte në mënyrë të njëanshme shërbimet dhe kushtet e përdorimit, pa u dhënë abonentëve të drejtën për rimbursim ose forma të tjera të kompensimit.

Amazon nuk ka komentuar ende publikisht mbi padinë.

Top Channel