
Tre vjet më parë qeveria investoi për rindërtimin e shkollës 9- vjeçare “Rufan Hakrama” në Pojan të Pezës, pas dëmtimit që pësoi nga tërmeti i nëntorit 2019. Rindërtimi i kësaj shkolle i kushtoi buxhetit të shtetit 625 mijë euro.
Në shtator të vitit 2022 kjo shkollë u inagurua dhe hapi dyer për nxënësit e disa fshatrave të Njësisë Administrative Pezë. Por 3 vjet më pas, shkolla këtë shtator nuk i hapi dyert për të mirëpritur nxënës. Ajo është mbyllur si rezultat i uljes së numrit të nxënësve, pra mosplotësimit të kuotave.
Kështu që mbi 40 fëmijë të fshatrave Grecë, Pojanë, Gjyslykanë vitin e ri shkollor janë të detyruar ta nisin në Pezë të Madhe.
Fiksi pa nga afër gjendjen e shkollës e cila ishte bosh dhe pyeti drejtoreshën e saj në një lidhje telefonike se cila ishte arsyeja e mbylljes së saj. Drejtoresha Afërdita Belba tha për Fiksin se numri i nxënësve u pakësua , ku vjet mësimi bëhej në klasa kolektive dhe me dëshirën e prindërve u kërkua që këta nxënës të dërgoheshin në shkollën “16 shtatori” në Pezë të Madhe. Ndërkohë që nga ana tjetër prindërit shprehen se janë detyruar t’i çojnë fëmijët në Pezë, pasi shkolla në Pojan u mbyll. ” Unë dua ta çoj vajzën në shkollë dhe këtu se e kam të sëmurë” shprehet njëra prej banorëve.
I pyetur në lidhje me këtë çështje kryeplaku i fshatit nuk ka dijeni thjesht ka dëgjuar që shkolla është mbyllur.
Pra investimi prej 625 mijë eurosh shkoi dëm, për një godinë të boshatisur nga nxënësit dhe që tashmë edhe pse vetëm tre vjeçare ka filluar të prishet e të mbulohet nga plehrat.
Lubinjë fshati me dy klube dhe asnjë shkollë.
Të njëjtin fat ka edhe shkolla në fshatin Lubinjë të Gramshit. Shkolla 9-vjeçare e këtij fshati nuk do të hapet këtë vit. Vjet ishin 5 fëmijë, por nga këta 4 përfunduan klasën e 9 dhe njeri prej tyre që sivjet është në klasën e 7 do të shkojë në Gramsh për të vazhduar shkollën. Zilja e shkollës nuk ra sot dhe nuk dihet deri kur do të ndodh që të bjerë sërish, sepse fshati nuk ka më fëmijë.
Nga sot shkolla e fshati Lubinjë do të jetë aty si “muze” për të dëshmuar se dikur këtu kishte fëmijë.
Top Channel