Fiks Fare/ Kulla vrojtimi pa vrojtues, vëzhgimi në plazhe zbulon shkelje të rënda të sigurisë Shumë afër qendrës së Tiranës, pranë shinave të trenit, zonja Ramazane Mërzheku ankohet për një problem jetik, ajo ‘noton’ e jeton mbi ujërat e zeza.
Brenda në oborrin e shtëpisë së saj ka gropën septike të ujërave të zeza edhe të tri familjeve të tjera. Ajo prej vitesh kërkon që shkarkimi i tyre të bëhet në tubacionin kryesor dhe jo në oborrin e saj. Por që të bëhet e mundur kjo gjë kërkon një financim që të mund të shtrihen tubacionet e çdo familjeve deri në derdhjen përfundimtare në tubin kryesor.
Ajo tregon për Fiksin se për 15 vjet i është drejtuar me kërkesa të vazhdueshme Ujësjellës Kanalizimeve të Tiranës, Njësisë Administrative Nr 11 në kryeqytet, Institutit të Shëndetit Publik, ish Inspektoratit Urbanistik Kombëtar dhe Bashkisë së Tiranës, për zgjidhjen e problemit të ujërave të zeza.
Ish-kryeinspektori i INUK-ut ia kalonte për kompetencë IMT-së së kryeqytetit heqjen e gardheve të banorëve që pengonin kalimin e linjës së shkarkimit të ujërave të zeza në tubacionin qendror. Edhe pse bashkia investoi në atë zonë, 4 banesa u lanë jashtë këtij investimi dhe këto banesa sot janë ende me gropa septike.
Njësia Administrative Nr 11 në kërkesat që i ka çuar Drejtorisë së Përgjithshme të Punëve Publike kërkon marrjen e masave me infrastrukturën e duhur të rrugëve në këtë zonë, pasi përveç ujërave të zeza problem tjetër është mosaksesimi i zjarrfikëses apo ambulancës në brendësi të zonës.
Instituti i Shëndetit Publik në një relacion që i ka drejtuar Ujësjellës Kanalizimeve Tiranë ka konstatuar se ujërat e zeza në banesën e zonjës Mërzheku janë një vatër me risk të përhapjes së sëmundjeve infektive dhe kërkon marrjen e masave për kthimin e kushteve higjeno-sanitare në normalitet.
Në fund të këtyre letërkëmbimeve Drejtoria e Planifikimeve Publike në Bashkinë e Tiranës ka thënë se nuk ka parashikuar investim në këtë zonë dhe ia adreson zgjidhjen e problemit Drejtorisë së Ujësjellës Kanalizimeve të Tiranës.
UKT-ja përsëri sqaron se është i pamundur hartimi dhe miratimi i një projekti për shkarkimin e ujërave të ndotura të banesës së zonjës Ramazane në tubacionin kryesor, për shkak të kuotave.
UKT u sugjeron këtyre banorëve që të vazhdojnë me gropa septike, deri në një investim të ri për gjithë këtë zonë, e cili është në vëmendjen e UKT-së në të ardhmen. Por deri atëherë nuk dihet edhe sa vite të tjera do kalojnë për Ramazanen në bashkëjetesë me ujërat e zeza në oborr.
Top Channel