Zelensky mesazh të qartë për Putin dhe SHBA-në: Lufta nuk do përfundojë me dhurata territoriale për Rusinë

29/04/2025 20:46

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy bëri thirrje sot për asnjë lëshim ndaj homologut të tij rus, Vladimir Putin në një përpjekje për t’i dhënë fund luftës, pasi Uashingtoni duket se po shqyrton njohjen e sovranitetit rus mbi territoret ukrainase të pushtuara nga Moska.

Sipas raportimeve, propozimet e administratës Trump për një zgjidhje paqësore të luftës përfshijnë njohjen nga SHBA-ja të kontrollit rus të Krimesë, gadishullit ukrainas që Moska e pushtoi dhe aneksoi në vitin 2014, plus njohjen de facto të zonave të Ukrainës jugore dhe lindore të kontrolluara nga forcat e Moskës.

“Ne të gjithë duam që kjo luftë të përfundojë në mënyrë të drejtë, pa dhurata për Putinin, dhe veçanërisht pa lëshime territoriale”, tha Zelensky në një samit rajonal.

Rusia pushton pjesërisht katër rajone në Ukrainën jugore dhe lindore Donetsk, Luhansk, Zaporizhia dhe Kherson, të cilat i aneksoi në vitin 2022 në referendume të dënuara nga Kievi dhe Perëndimi si referendume të rreme.

Në vitin 2014, Moska gjithashtu aneksoi gadishullin ukrainas të Krimesë në një referendum të ngjashëm, pas një ndërhyrjeje nga forcat e saj speciale ushtarake.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov tha të hënën se njohja ndërkombëtare e këtyre aneksimeve ishte një kusht i “imponuar” për t’i dhënë fund pushtimit rus të Ukrainës, i cili filloi në vitin 2022.

Zelensky ka thënë vazhdimisht ditët e fundit se një mundësi e tillë e njohjes ruse është e papranueshme për Kievin. Trump tha të dielën se qëndrimi i udhëheqësit ukrainas për këtë çështje mund të ndryshojë.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta