
Ka nisur të premten në Top Channel “Aurela Gaçe Show”, një spektakël që mbajti mbërthyer publikun para ekranit, teksa solli nostalgji me këngët më të bukura të viteve më parë, të artistëve të njohur, si dhe rikthimin në skenë të këngëtarëve ikonikë.
Ata u ngjitën në skenë për të kënduar së bashku me Aurela Gaçen ato këngë që publiku edhe pas kaq vitesh, i këndon njëzëri me ta.
Por ky nuk ishte vetëm një spektakël dhe ‘festival’ me muzikën më të mirë dhe artistë të vërtetë e aq të dashur për publikun, por… edhe një ‘breshëri’ batutash mes Aurelës dhe të ftuarve të saj.
Një prej të ftuarve të këtij episodi ishte edhe Dashnor Diko. Përpara se të vinte në skenë Aurela i bëri një prezantim siç vetë ajo di…
“Kur dilja nga provat, më priste ai… Dashnori. Ai ishte me këmishë të hollë në mes të dimrit, dridhej, herë pas here i thoshim ‘dridhi’, pëlqente muzikën Reggae, ishte më buzë të trasha dhe kaçarrela”, tha ajo duke shkaktuar të qeshura te publiku.
Më pas ajo e pyeti nëse vetë ai pasur ndonjë herë probleme me emrin e tij.
“Se shiko, sa thash unë Dashnori, këta qeshën”, tha Aurela.
“Shiko do të të them një rast me familjen tënde, me mamanë tënde. Ishte një rast që kishim një koncert pas një jave, dhe marr në telefon familjen e Aurelës, e më del mamaja e saj. I them ‘të lutem desha të komunikoj pak me Aurelën, se kemi një koncert në Fier dhe Vlorë’, më tha ‘po mirë kush je ti që t’i them’, i thash unë ‘Dashnori jam dhe po e pres këtu’… ‘dashnori i satëme’ më tha dhe ma mbylli telefonin”, rrëfeu Dashnor Diko me humor.
Top Channel