Fiks Fare/ 60 mijë lekë ryshfet mjekut për operacion në testikuj. I mituri humb njërin, mjeku “Do e rioperoj”

25/04/2025 21:10

Emisioni “Fiks Fare” sjell një rast mitmarrje nga ana e bluzave të bardha  në qytetin e Fierit.

Mjeku Musa Skënderaj  akuzohet nga dy prindër se u ka marrë 40 mijë lekë për operimin e djalit të tyre, ndërkohë që sot  i mituri rrezikon të humbasë një testikul dhe duhet të rifutet sërish në operacion. “Përveç faktit që do operohet prapë, duhet të paguajmë prapë ” shprehet  nëna për Fiks Fare.

Mamaja e djalit tha  se mjeku Skënderaj  pas përfundimit të  ndërhyrjes kirurgjikale u ka kërkuar dhe ka marrë ryshfet 40 mijë lekë. E gjitha ka ndodhur para dy muajve në Spitalin Rajonal të Fierit ku djali i tyre iu nënshtrua një ndërhyrje kirurgjikale e cila nuk doli e suksesshme.  Aktualisht djali duhet të rioperohet për përdredhje testikulare dhe nëna pohon se duhen sërish lekë për të paguar mjekun.

Familja nuk u ndal vetëm me ankesën verbale. Babai i djalit e takoi vetë mjekun dhe e regjistroi me kamera të fshehtë. Gjatë bisedës, mjeku mohoi se kishte kërkuar para para operacionit, por nuk përjashtoi marrjen pas tij – një detaj që lë të kuptohet se pagesa është bërë, pavarësisht mënyrës dhe kohës.

Gjatë takimit, babai i dha mjekut edhe shumën prej 20 mijë lekësh për operacionin e dytë, të cilat u pranuan nga  mjeku pa asnjë hezitim. Madje mjeku pasi futi lekët në xhep sqaroi të atin e pacientit se bëri maksimumin në sallën e operacionit , por nuk e shpëtoi dot testikulin.

Gazetarët e Fiksit kanë intervistuar mjekun Musa Skënderaj, i cili tha se në spital atë ditë nuk kishte mjek specialist për atë ndërhyrje, por e kreu vetë. Ndërkohë për paratë ai mohoi të ketë marrë për operacion, por  u shpreh se i kishte marrë për shërbimin online që ju ka dhënë familjarëve. Pra  60 mijë lekë në total për telefonata me prindërit e pacientit.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta