
Partitë politike kanë ngritur shqetësimin se zarfat me fletën e votimit të diasporës nuk po shpërndahen në mënyrën e duhur.
Komisioneri Ilirjan Celibashi ka pranuar ekzistencën e problematikave, por i ka konsideruar rastet si të izoluara, të cilat, sipas tij, nuk cenojnë procesin zgjedhor.
Celibashi: “Problematikat e raportuara nuk shkojnë më shumë se 100. 100 raste nga 154 mijë zarfa mund t’i përkufizoj si raste të izoluara. Në mënyrë masive janë në Greqi. I kemi adresuar me përfaqësues të kompanisë që ka një fokus të shtuar në këtë proces, pasi është çështje e personave që ata kanë punësuar.”
Pavarësisht këtyre problematikave, sipas Celibashit, sistemi po funksionon shumë mirë.
Celibashi: “Kemi shpërndarë zarfat 100 përqind. E kanë marrë zarfin në dorë 154 mijë zgjedhës; janë kthyer rreth 22 mijë.”
Ndërkohë, emigrantët që kanë marrë në dorë zarfin po nxitojnë të fotografojnë votën e tyre dhe ta publikojnë në rrjetet sociale.
Celibashi: “Fotografimi i votës, në vlerësimin tim, përbën një vepër penale, por nuk jam autoriteti që vendos për këtë çështje.”
Jo vetëm fotografimi, por edhe ofrimi i parave në këmbim të votës përbën vepër penale. Celibashi u pyet edhe për pasojat që mund të bien mbi kandidaten e Partisë Demokratike, Adriana Kalaj, e cila ka ofruar shpërblime monetare në këmbim të mbështetjes.
Celibashi: “Nuk e kemi shqyrtuar ende siç duhet procedurialisht, por mund ta këshilloj ta heqë postimin.”
Komisioneri bëri gjithashtu me dije se është në komunikim të përditshëm me SPAK-un lidhur me hetimet për çështjet zgjedhore.
Top Channel