“Do të marr pjesë në ceremoninë mortore”/ Baba Mondi kujton takimin e fundit me Papa Françeskun: Na priti me ngrohtësi, edhe pse…

23/04/2025 12:58

Kreu i Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, Baba Mondi, ka shprehur ngushëllimet e tij të thella për ndarjen nga jeta të Papa Françeskut, nga Ambasada e Vatikanit në Tiranë duke e vlerësuar lart kontributin e tij në forcimin e vëllazërisë njerëzore dhe bashkëjetesës mes besimeve.

“Me shumë dashuri vlerësoi punën tonë që bëjmë për bashkëjetesën vëllazërore në Shqipëri dhe që rinia shqiptare iu kthye besimit menjëherë pas kthimit të demokracisë. Vlerësoi respektin që treguam ndaj martirëve që dhanë jetën për besimin”, tha Baba Mondi në një deklaratë publike.

Ai kujtoi gjithashtu momente të rëndësishme të bashkëpunimit me Vatikanin dhe vetë Papën, duke përmendur pjesëmarrjen e përbashkët në marshimin në mbështetje të viktimave të sulmit ndaj “Charlie Hebdo” si dhe nënshkrimin e marrëveshjes së Abu Dhabit për vëllazërinë njerëzore.

“Edhe pse ishte në gjendje të rënduar shëndetësore, na priti me ngrohtësi e respekt. Zoti e ndriçoftë për punën e bërë dhe vepra e tij të vijojë nga pasardhësi i tij. U prehtë në paqe,” shtoi Baba Mondi, duke bërë të ditur se do të marrë pjesë në ceremoninë e lamtumirës së Papës.

Mesazhi i Baba Mondit nënvizon frymën e dialogut ndërfetar dhe bashkëpunimit mes komuniteteve fetare, duke e konsideruar ndarjen nga jeta të Papa Françeskut si një humbje për gjithë njerëzimin.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta