
Gjashtë prej të dyshuarve për vrasjen e rreshterit Muhamed Lika, janë lënë në paraburgim prej një muaji.
Haki Bela, Rilind Murati, Vatan Çaka, Edmond Lika, Shkëlqim Kuka dhe Diamant Gashi, u arrestuan më 21 prill, pasi dyshohet se me dashje dhe përgatitje kanë kryer vrasjen e Likës më 1 prill të këtij viti.
Sipas Prokurorisë Themelore në Ferizaj i dyshuar si kryerësi i vrasjes është i mituri Rejhan Bela i cili ka qenë i ndihmuar në vazhdimësi nga gjashtë të dyshuarit e moshës madhore.
Kërkesa e prokurorisë për caktimin e masës së sigurisë ndaj të pandehurve sqaron rrjedhën e ngjarjes dhe planin për vrasjen e rreshterit të policisë së Kosovës, Muhamed Likës.
Viktima që nga përfundimi i orarit të tij në stacionin e Policisë në Kaçanik ishte përcjellë nga gjashtë të dyshuarit që të martën u paraqitën në Gjykatën Themelore në Ferizaj.
“I mituri Rejhan Bela i shkon nga prapa dhe pasi që viktima hyn në objektin banesor pas tij hyn edhe i mituri ku me të takuar të ndjerin ka shtënë në drejtim të tij më armë zjarri”, sqarohet nga prokuroria.
Pas kryerjes së veprës penale i mituri largohet nga vendi i ngjarjes duke vrapuar ku takohet me të dyshuarin tjetër Rilind Murati i cili ka qenë deri në vitin 2022 pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës.
I dyshuari Haki Bela, sipas prokurorisë ka vëzhguar viktimën, Muhamed Likën që nga momenti kur ka dalë nga puna në natën e vrasjes së tij. Po ashtu, Bela pas vrasjes së rreshterit, sipas prokurorisë ka shkuar në vendin e ngjarjes ku ka qëndruar dy minuta.
Vatan Çaka, bashkë me Rilind Muratin dhe të miturin Rejhan Bela paraprakisht kanë vëzhguar vendin e ngjarjes dhe për këtë prokuroria ka si dëshmi kamerat e sigurisë.
Edhe dy të pandehurit e tjerë, Edmond Lika dhe Shkëlqim Kuka po ashtu kanë ndihmuar në përcjelljen e viktimës.
Ndërkohë bëhet e ditur se i pandehuri Diamant Gashi pas vrasjes ka ndihmuar të miturin Rejhan të largohet nga vendi i ngjarjes. Po ashtu, përmes telefonit kontakton të pandehurin Haki Bela dhe i njëjti e strehon dhe i ofron ndihmë ne ushqim dhe gjana tjera të miturit Rejhan Bela.
Sipas mbrojtjes, të dyshuarit Rilind Murati dhe Diamant Gashi kanë mohuar përfshirjen e tyre në vrasjen e rreshterit Lika, derisa mbrojtja po ashtu ka sqaruar se nuk ka dyshime se në rast lidhen bindjet fetare të të pandehurve.
Ndërkohë, ndaj dorasit, Rejhan Bela të hënën është caktuar një muaj paraburgim.
Top Channel