Tragjike në Itali! Shkëputen kabllot e teleferikut, humbin jetën katër persona

17/04/2025 18:44

Një aksident i rëndë ka ndodhur në teleferikun e Monte Faitos në Itali, ku katër persona kanë humbur jetën dhe shoferi i kabinës rezulton ende i zhdukur, si pasoj e shkëputjes së kabllove që mbanin teleferikun.

Ngjarja ndodhi në orët e pasdites të së enjtes, kur një nga kabinat e sipërme ra në tokë, pak para se të mbërrinte në stacionin përfundimtar.

Teleferiku lidh qytetin Castellammare di Stabia me malin Faito, një zonë e njohur turistike.

Në kabinën tjetër, më poshtë, ndodheshin 16 persona, shumica turistë të huaj. Fatmirësisht, ajo mbeti pezull pranë stacionit të nisjes dhe të gjithë pasagjerët u shpëtuan në mënyrë të sigurt. Ata u ndihmuan një nga një nga ekipet e shpëtimit dhe u zbritën me kujdes në tokë.

Sipas të dhënave paraprake, kablloja tërheqëse e teleferikut është këputur, duke rënë mbi linjën hekurudhore Circumvesuviana që kalon poshtë. Për shkak të kësaj, trafiku hekurudhor u ndërpre, ndërsa në vend të trenave janë vënë në qarkullim autobusë zëvendësues.

Ndërkohë, një kabinë tjetër në pjesën e sipërme të teleferikut është ende e bllokuar, dhe në bord mendohet se ndodhen katër pasagjerë dhe një operator. Kabina nuk mund të shihet për shkak të mjegullës së dendur dhe nuk ka komunikim radio me të.

Ekipet e shpëtimit, zjarrfikësit, policia, emergjencat mjekësore dhe vullnetarët e mbrojtjes civile janë në vendngjarje. Prefekti i Napolit dhe presidenti i rajonit Campania, Vincenzo De Luca, po ndjekin situatën nga afër.

Teleferiku Monte Faito ishte rifilluar më 10 prill, pas një periudhe mbylljeje sezonale. Linja është e njohur për pamjet e bukura që ofron mbi det dhe male, dhe vetëm këtë vit ishte përdorur nga mbi 113 mijë persona.

Pas përfundimit të operacioneve të shpëtimit, Prokuroria e Torre Annunziata do të nisë një hetim për të kuptuar arsyet e këtij aksidenti tragjik dhe për të përcaktuar nëse ka pasur ndonjë neglizhencë apo gabim teknik.

Top Channel

BIG BROTHER BIG BROTHER - Portokalli - AG SHOW - Bileta