Inside Story/ “Nuk arriti të fikte 12 qirinjtë e tortës”, nëna rrëfen humbjen e papritur të vogëlushes

09/04/2025 21:58

Në bankën ku ulej Endi Bardhi, ende qëndrojnë buqetat me lule, letrat, kartolinat që shokët dhe shoqet e klasës ia kanë dedikuar.

Atje në parajsë, më të mirës! E kanë të vështirë ta pranojnë se nuk është mes tyre, ndaj refuzojnë ta lënë bosh vendin e shoqes.

Endi, një vogëlushe shumë energjike që nuk kishte vuajtur asnjëherë nga ndonjë sëmundje, u nda papritur nga jeta më 8 shkurt 2025.

Familja është ende e tronditur për ndarjen hershme nga jeta të saj. Këtë Maj, ajo do të ndizte 12 qirinj mbi tortën e ditëlindjes.

Mëngjesin e tragjedisë, e mitura ka shkuar si çdo ditë në shkollën “Njazi Mastori” në Sukth pa asnjë shqetësim. Sapo përfundoi ora e parë e mësimit, është ankuar për dhimbje koke dhe humbi ndjenjat në klasë.

Siç edhe dëshmojnë prindërit, ndihma e parë i është dhënë menjëherë pasi shkolla ndodhet shumë pranë qendrës shëndetësore. Në një kohë rekord ka mbërritur në spitalin rajonal të Durrësit.

E ëma, mësuese gjimnazi, që ka qenë pranë së bijës brenda 2-3 minutash, rrëfen për Inside Story të gjithë kalvarin e asaj dite të tmerrshme. Prindër të dy vajzave, bashkëshorti ishte larguar për të punuar drejt Gjermanisë vetëm 3 ditë para ngjarjes. Sot ata mbajnë mbi peshë jo vetëm humbjen e së bijës por edhe dyshimin se ajo nuk u trajtua siç duhet.

E ëma tregon se fillimisht në spitalin e Durrësit iu bë një set me analiza si dhe eko kardiologjike që rezultuan mirë.

Doktoresha që e priti në urgjencë dhe e ka ndjekur, dyshoi për epilepsi dhe më pas encefalit. Ajo i ka qetësuar familjarët se vajza do të bëhej shumë shpejt mirë dhe krizat do të kalonin. Por në të vërtetë, situata e të miturës, që nga ora 9:15 minuta kur ka mbërritur në spital ka ardhur duke u përkeqësuar.

“Pas 10 minutash vajza reagoi, erdhi në vete, filloi të qante, fole me ta, jepte përgjigje shumë të sakta. Mirëpo kishte kriza jashtë mase të fuqishme, dhimbje të forta. Ankohej se i dhimbte koka, pastaj binte pa ndjenja sërish dhe zgjohej për 2 min dhe reagonte më dhemb koka, qafa më dhemb i gjithë trupi”, u shpreh Donika Bardhi, mamaja e 12-vjeçares.

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - AG SHOW - Bileta