
Kryeministri Edi Rama po shpalos programin elektoral të PS për zgjedhjet parlamentare.
Gjatë fjalës së tij ai i referuar kryetarit të PD, Sali Berisha, duke thënë se ‘bufi do votën në 11 maj, që në 12 maj të marrë shpatën dhe të zhveshë zonjën e drejtësisë’.
“E pra, liria individuale, ajo çka ne e kemi dëshiruar me shekuj, ajo çka ne e fituam më në fund të fundit në Evropë, ajo çka ne sot e kemi, por ama asnjëherë nuk e kemi aq të sigurtë sa ç’do ta kemi kur të jemi pjesë e Bashkimit Evropian, ku asnjë shtet anëtar nuk mundet dot të cenojë lirinë individuale. Po barazia para ligjit? S’e kemi pasur asnjëherë, s’e kemi fituar as mbasi fituam lirinë individuale kur u çliruam nga kthetrat e diktaturës komuniste.
Vetëm sot, vetëm në këto vite të fundit, falë reformës në drejtësi, falë rrugës që ne, Partia Socialiste e Shqipërisë dhe askush tjetër, i hapëm drejtësisë së re, shqiptarët po shohin përpjekjen e parë në histori për të vendosur barazinë para ligjit.
Kurrë më parë qysh nga viti 1912, kur ne u bëmë shtet i pavarur nga perandoria, kur krijuam qeverinë e parë, ne nuk kemi pasur në asnjë rast, një individ të lidhur me pushtetin politik që të jetë hetuar dhe gjykuar nga një trupë e pavarur, deri kur, pas reformës në drejtësi, me krijimin e institucioneve të reja, kjo ka filluar të ndodhë dhe ka filluar të ndodhë për arsyen e vetme, sepse ne i kemi dorëzuar drejtësisë vullnetarisht, me një vizion shumë të qartë, me një vullnet të palëkundur dhe me një vetëdije po aq të qartë se çfarë do të sillte kjo si kosto edhe për ne, shpatën, shpatën e zonjës së drejtësisë, e cila atë shpatë e mban qysh në lindje të kohërave demokratike apo qysh në lindje të kohërave shtetërore për botën, ndërkohë që në Shqipëri nuk e kishte deri kur ia dorëzuam ne.
Ajo shpatë ka qëndruar në zyrën e të parit të qeverisë, që nga 1912 deri kur unë arrita në atë zyrë.
Është pasuar dorë pas dore, pavarësisht nga forma e regjimit, mbretëri, diktaturë komuniste apo demokraturë, demokratura me atë shpatë të përdorur arbitrarisht nga i pari i qeverisë, futi në burg kryetarin e opozitës, të fundit të burgosur politik në historinë e Shqipërisë, Fatos Nano.
Ne e dorëzuam shpatën. Sot, ajo shpatë është në duart e SPAK-ut. Sot, ajo peshore është në duart e Gjykatës Speciale dhe sot ne jemi garantët e vetëm të kësaj historie të re, të cilën bufi i kënetës, bashkë me të gjithë të tjerët rreth tij përbetohen e betohem se do ta kthejnë përmbys.
Duan votën në 11 maj, që në 12 maj të rimarrin shpatën dhe ta zhveshin përsëri zonjën e drejtësisë nga fuqia për të imponuar barazinë para ligjit. Po çfarë është tjetër BE? BE sot, përveç të tjerash, është dhe një çështje sigurie kolektive. Shikojeni këtë anketë, anketa e sigurisë kolektive. Kjo është një anketë e popullaritetit që ka BE-ja në vendet anëtare. Lart filloi me 92, 91, 90, 91, 90, 90, 80 e ca 80 e ca për qind etj, etj dhe më i ulëti popullaritet është 61 %.”, tha Rama.
Top Channel