
Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së hënës burokracitë dhe sorollatjet e institucioneve shqiptare për dhënien e shtetësisë për shqiptarët e Kosovës.
Një e re nga Kosova, e cila ka ardhur në Shqipëri prej 15 vitesh, ka bërë shkollën 5 vite, në punë me kontratë prej 10 vitesh, është martuar me një shqiptar dhe ka një fëmijë 3 vjeç. Por, prej disa vitesh është endur në dyert e policisë, ministrisë dhe presidencës për të marrë pasaportën. Gjatë kësaj kohe i kanë kthyer disa herë dokumentet; njëherë punonjësit humbën 1 vërtetim, herën e dytë nga zvarritja skaduan dokumentet, një herë se kërkonin provim të gjuhës shqipe dhe në fund kontrata e qirasë, e bërë para noteri, s’është e ligjshme!
Në redaksinë e emisionit Fiks Fare u ankua z. Klaudjo Jonuzaj, i cili thotë se është martuar me një shqiptare nga Kosova, Sihana Qarkaxhija, e cila prej shumë vitesh kërkon pasaportën shqiptare. “Sihana jeton që prej vitit 2010 në territorin e Republikës së Shqipërisë, ku fillimisht ka bërë studimet 5 vjeçare dhe nga viti 2015 është në punë, me kontratë të rregullt. Madje ka marrë edhe leje qëndrimi. Prej disa vitesh, ne jemi martuar, ku kemi bërë celebrimin dhe të gjitha dokumentet. Pas martese, ne kemi edhe një fëmijë” pohon Klaudjo.
Por, pavarësisht se punon në mënyrë të rregullt prej 10 vitesh, është martuar me një shtetas shqiptar dhe ka një fëmijë po me këtë shtetas, Sihana është sorollatur prej shumë vitesh që të marrë shtetësinë, pasaportën shqiptare. “Sa herë që aplikojmë na nxjerrin mungesë dokumentesh. Njëherë mungon një letër nga emigracioni. E çojmë letrën dhe na kthejnë përgjigje që tani që e sollën, skadoi afati i letrave të para. Certifikata të bashkëshorteve, shqiptare dhe kosovare, gjendja gjyqësore, vërtetimet e lejeve të qëndrimit, kontratë qiraje. Këto kanë afat 6 muaj përdorim” vijon Klaudjo.
Ai shton se, deri tani kanë plotësuar plot 4 herë letrat. “Herën e fundit për kontratën e qirasë, pasi e kemi bërë kontratën te noteri me 1 pronar, kur certifikata e pronësisë ka 3 bashkëpronarë. Ne këtë kontratë e kemi çuar disa herë te policia, Ministria e Brendshme dhe Presidenca. Asnjëherë s’na e kanë kthyer. Me këtë kontratë kemi të gjitha dokumentet, gjendjen civile, lejet e qëndrimit, regjistrimin e fëmijës në kopsht. E kanë pranuar të gjithë” thotë ai.
Më tej shton se, në aplikimin e parë ka qenë kriter edhe një provim i gjuhës dhe historisë së Shqipërisë, edhe për shqiptarët e Kosovës. “Pyesnim ku ta bënim këtë provim, asnjë s’na jepte përgjigje” pohon Klaudjo, teksa shton se deri më tani vetëm burokraci.
Pas ankesës, i riu shkon te Komisariati i Policisë Nr.2 në Tiranë dhe pyet punonjësen që merret me shtetësinë. Ajo i thotë se kështu janë procedurat dhe ata i kanë bërë po i ka kthyer Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Policisë. “Sajojnë lloj-lloj dokumentesh. Tani i kthejnë për gjënë më të vogël” i thotë ajo, teksa i kërkon që tashmë dokumentet t’i plotësojë nga e para se për pak javë skadojnë. Klaudjo shkon edhe në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, duke kërkuar oficerin Yzeir Zeqiri, por ai i thotë se “dosja është te Komisariati nr.2, plotësoje”.
Gazetarët e Fiks Fare kontaktojnë oficerin e policisë Yzeir Zeqiri, i cili punon në Drejtorinë e Policisë së Tiranës dhe merret me shtetësisë. Ai pranon se dokumentet i janë kthyer disa herë, teksa shton se tani ka probleme kontrata e qirasë. Fiksi i bën me dije se Klaudjo dhe Sihana kanë aplikuar gjithmonë me këtë kontratë, ndërsa ai thotë se tani duhet të bëjë tjetër dhe t’a sjellë. E pyesim se nëse e sjell të renë, skadojnë dokumentet e vjetra. Na thotë se do t’i shohë dhe t’na kthejë përgjigje.
Oficeri telefonon sërish gazetarët disa minuta më pas dhe thotë se “vetëm të sjellë kontratën e qirasë, pasi dokumentet e tjera kanë datë mesin e dhjetorit”. Por, sa të kalojnë nga Komisariati Nr,2, te Drejtoria e Policisë në Ministrinë e Brendshme dhe më pas në Presidencë, dokumentet do të skadojnë sërish!
***
Denoncuesi interesohet te Komisariati i Policisë Nr.2, Tiranë
Qytetari – Unë jam bashkëshorti i Sihana Qarkaxhija, më ka ardhur një mesazh …
Punonjësja – Që të është kthyer …
Qytetari – Që më është kthyer, po! Shkova te Drejtoria dhe më thanë se e kanë kthyer te 2-shi. Është e disata herë që ma kthejnë.
Punonjësja – Kontrata e qirasë nuk është në përputhje me ligjin. Në certifikatë figurojnë 3 pronarë ndërkohë që kontrata është lidhur vetëm me 1 pronar.
Qytetari – Po më habit sepse kontrata …
Punonjësja – Ajo është kthyer vetëm për kontratën.
Qytetari – Po Yzeiri (oficeri në Drejtorinë e Policisë Tiranë) e ka marrë këtë dosje e ka kthyer 3 herë. Kjo ka qenë në 2022-shin. Ky dokument ka qenë gjithmonë, nuk e di se tani u kujtuan për këtë dokument.
Punonjësja – Ç’a të them, po të them vetëm atë që më thonë!
Qytetari – Noteri e ka bërë, e ka noterizuar edhe ai tjetri që …
Punonjësja – S’ka mundësi, noteri s’mund ta bëjë këtë gjë!
Qytetari – S’e marr vesh si e kanë pranuar edhe këta të Gjendjes Civile, gjithandej e kanë pranuar atë dokument. S’e di tani.
Punonjësja – E ka kthyer ministria!
Qytetari – Na e kanë bërë këtë muhabet shumë problematik. Rinovimin e dokumenteve e kemi bërë tani
Punonjësja – Kanë dokumentet e veta që kërkojnë. Kësaj radhë është kthyer vetëm për këtë arsye.
Qytetari – Këto skadojnë më duket?
Punonjësja – Pikërisht!
Qytetari – Po pra duhen bërë të gjitha nga e para.
Punonjësja – Atëherë, nëntor, dhjetor, janar, shkurt, mars i bie afër.
Qytetari – I kam të gjitha afër, unë e di shumë mirë dhe më kanë vonuar shumë.
Punonjësja – Dhe deri sa të shkojnë në Presidencë i ke të gjitha të skaduara.
Qytetari – E marr vesh! Presidenca nuk toleron më asnjë ditë nëse skadojnë?!
Punonjësja – S’kanë kaluar asnjëherë.
Qytetari – Po pra na këputën me këtë, se po vemë në Kosovë …
Punonjësja – Në qoftë se që në fillim fare …
Qytetari – Më përpara nuk e kishin këtë mesa di unë ë?
Punonjësja – Po s’ka qenë më përpara aplikimi online asnjë gjë. Tani në qoftë se janë në fillim të sakta, të sakta, të sakta ato shkojnë shpejt. Në qoftë se janë mungesë dokumentacioni, shkojnë në drejtori të shikohen, pastaj në ministri, ministria i kthen në drejtori. Drejtoria i kthen prapë te ne, procedurat zgjasin dhe ato (dokumentet) skadojnë.
Qytetari – E marr vesh, unë jam i rrahur me këtë punë tani dhe gjithmonë mi vonojnë. Inshallah po zgjidhet se kjo kontrata ne e kemi bërë gjithandej dhe ss.
Punonjësja – Ja të thotë ai ok, do ta çosh në ministri ti do ta kthejë ministria nëse s’është ok. Ose nëse s’e kap ministria, do ta kthejë Presidenca. Presidenca merret edhe me gjërat më minimale edhe me një gabim shkronje dhe ta kthen dosjen mbrapsht.
Qytetari – Tani muhabeti është këtu ça garancie kam unë që ata kapin çdo lloj gjëje, a ia vlen apo ta lë fare këtë muhabet?!
Punonjësja – Tani unë s’po them se s’ia vlen, se ka shumë shtetas që duan shtetësinë.
Qytetari – A po merren shtetase se po më duket se s’po merren?
Punonjësja – Po merren, po merren.
Qytetari – Kanë ndryshuar njeri atje në Ministrinë e Brendshme që e kanë kthyer këtë radhë, se më përpara s’e kanë kthyer pasi ka vajtur deri në Presidencë ky dokument (kontrata e qirasë) dhe s’e kanë kapur për këtë gjë?
Punonjësja – Nuk e kam idenë.
***
Qytetari interesohet në Drejtorinë e Policisë Tiranë!
Qytetari – Ndoshta është Yzeiri se kisha për t’i bërë një pyetje, ai specialisti.
Punonjësi – Ia ke numrin?
Qytetari – Po ia kam numrin.
(Telefonon oficerin e shtetësisë)
Qytetari – Alo si kalon? Jam Klaudjo, bashkëshorti i Sihanës kemi folur. Doja të merrja pak një mendim nga ty në qoftë se duhen bërë të gjitha nga e para. E kishin kthyer për atë kontratën e qirasë po …
Oficeri – Te 2-shi (Komisariati) e ke dosjen. Këto dokumente janë të pavlefshme.
Qytetari – Duhet të bëj procedurë nga e para, po!
***
Bisedë mes gazetarëve të Fiks Fare dhe z. Yzeir ZEQIRI, Oficer në Drejtorinë e Policisë Tiranë
Gazetari – Kemi një rast, zonja Sihana Qarkaxhija.
Oficeri – Po, po.
Gazetari – Ka aplikuar disa herë. Disa herë i është kthyer, mungesë dokumentacioni. Ka kaluar nga Komisariati Nr.2, në Drejtorinë e Policisë, në Ministrinë e Brendshme. Dhe prej 3 vitesh, zonja në fjalë megjithëse është në punë prej shumë vitesh në Shqipëri, është e martuar, ka fëmijë, dhe nuk po merr dot shtetësinë!
Oficeri – A mund të bëni një kërkesë me shkrim dhe t’ju sqarojmë.
Gazetari – Ti je dhe oficeri i policisë që merresh me të tilla raste. Një zonjë që ka të tria kriteret dhe vetëm sorollatet?!
Oficeri – Dakord, dakord. Dokumentet e zonjës kanë vajtur në ministri nga ministria më duket, më duket, domethënë janë kthyer për një problem. Sihana Qarkaxhija më thatë apo jo?
Gazetari – Po, Sihana Qarkaxhija.
Oficeri – Po ja 1 minutë. Dokumentacioni i kësaj zonje është kthyer me motivacionin kontrata e qirasë nuk është në përputhje me përcaktimet e parashikuara në ligjin “për shtetësinë”. Domethënë ky është motivi që është kthyer. Dokumentacioni është kthyer në 03.03.2025 në Komisariatin e Policinë Nr.2.
Gazetari – Dhe çfarë duhet të bëjë zonja tani, duhet të ri plotësojë të gjitha dokumentet?
Oficeri – Jo zonja duhet të … të … domethënë të plotësojë këtë kriterin e qirasë. Certifikata e pronësisë së banesës ku zonja është me qira është me 3 pronarë. Ndërkohë kontrata është e lidhur me njërin prej tyre.
Gazetari – Si ka mundësi që zonja në fjalë, me atë kontratë ka marrë leje qendrimi prej 5-6 vitesh, me të njëjtën kontratë. Është martuar me atë kontratë!
Oficeri – Zoti Sokol, atëherë ligji për “lejet e qëndrimit” është tjetër kurse ligji “për shtetësitë” është tjetër!
Gazetari – Është hera e parë që kthehet apo është hera e disatë? Se herën e parë nuk u kthye për këtë kriter u kthye për një kriter të …
Oficeri – Po prandaj të thashë se unë nuk mund të mbaj mend domethënë këtë problem. Prandaj thashë bëni një kërkesë.
Pas disa minutash …
Oficeri – Lidhur me atë aplikim duhet të plotësojë vetëm kriterin e kontratës së qirasë. Dokumentacioni është brenda afateve ligjore, sepse është i dhjetorit 2024.
Gazetari – Afatet janë vetëm 6 mujor mesa di.
Oficeri – 6 mujor po i ka në rregull, se i ka 13.12.2024.
Gazetari – Po pse nuk i është thënë herët e kaluara që ka këtë mangësi?!
Oficeri – Tani është konstatuar!
Gazetari – Po bën 3 vite z. Yzeir, 3 vite!
Oficeri – Po herën tjetër nuk është kthyer për këto domethënë, prandaj …
Top Channel