Mbi 100 projekte për turizmin/Forumi në Tiranë mbledh investitorë e marka hoteliere, synohen partneritete të reja

02/10/2026 15:20

U zhvillua në Tiranë edicioni i parë i forumit “E ardhmja e Mikpritjes” duke mbledhur së bashku zhvilluesit shqiptarë, investitorët dhe disa prej brendeve më të njohura e më prestigjioze të hotelerisë botërore.

U zhvillua në Tiranë edicioni i parë i forumit “E ardhmja e Mikpritjes” duke mbledhur së bashku zhvilluesit shqiptarë, investitorët dhe disa prej brendeve më të njohura e më prestigjioze të hotelerisë botërore. Nga forumi kryeministri Edi Rama u ndal tek ndryshimi gjatë 13 viteve të fundit të turizmit shqiptarë duke e krahasuar situatën aktuale me atë të një dekade më parë.

“Vendi ynë ishte vërtet një pikë e zezë në hartën e industrisë së turizmit në Evropë. Madje, ajo që ne konsideronim si numër turistësh dhe statistikat mbi të cilat mbështeteshim, në të vërtetë përfaqësonin numrin e pasagjerëve që hynin dhe dilnin nga vendi, duke përfshirë edhe vetë ne. Çdo person që largohej nga vendi për të kryer një punë, për të takuar familjarët jashtë shtetit apo për të kaluar pushimet, sapo regjistrohej sërish në sportelin e check-in-it në aeroportin tonë, llogaritej si turist. Edhe pse këto shifra ishin të fryra, ato nuk arrinin më shumë se 2 milionë, ndërsa sot kemi kaluar shifrën e 12 milionë turistëve.” u shpreh Rama.

Në forum u prezantuan mbi 100 projekte shqiptare, me fokus investimet në sektorin e turizmit dhe hotelerisë. Për Agjencinë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve synimi është që këto projekte të shërbejnë si pikënisje për partneritete të reja dhe investime me vlerë më të lartë për ekonominë.

Sipas drejtoreshës Laura Plaku sfida tashmë është që rritja e turizmit të mos matet vetëm me numrin e hyrjeve, por edhe me investimet që sjell, vendet e punës dhe kohëzgjatjen e sezonit. Duke bërë që Shqipëria të kaloj nga potenciali tek prestigji në industrinë turistike.

Top Channel