Në komisionin e ligjeve anëtari demokrat Xhelal Mziu denoncoi atë që e quajti propagandë me dosje bosh nga konsultimet publike me qytetarët për reformën territoriale.
Vijimi i diskutimeve projektligjit “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore” prodhoi debate të forta mes maxhorancës dhe opozitës.
Zegjine Çaushi: Nëse e kishe kaq shqetësim të madh këtë reformën territoriale ti Xhelal, kujtoheshe! Mos ta bojkotoje komisionin 4 muaj! Shkove bëre plazh atje, fjete dhe gjumë në shtëpi, vjen edhe këtu te ky komision tani dhe kërkon bashkimin e dy nismave!
Ulsi Manja: Çaushi, këtë punën e plazhit e pate vetëm për Mziun apo për të gjithë?
Xhelal Mziu: Në fakt, kur Zegjineja të jep këshilla në të gjitha fushat është vërtet një standard shumë i lartë dhe duhet ta merrni në konsideratë edhe ju z. Kryetar për qortimet që ju bën se Zegjineja është më afër asaj që PS ka si pikësynim dhe jo standardi.
Ndërkohë jashtë ambienteve të kryesisë së Kuvendit protestuan banorët e Memaliajt të cilët kundërshtojnë propozimin e socialistëve ku parashikohet bashkimi Memaliajt me Tepelenën.
Ndër të tjera jashtë Kryesisë së Kuvendit deputeti socialist Erion Brace u tentua të goditej me një pankartë prej protestuesve. Demokrati Tritan Shehu ka ndërhyrë duke e larguar kolegun socialist dhe duke mos lejuar agravimin e situatës.
Top Channel