Kryebashkiaku i Tiranës, Erjon Veliaj, do të mbahet në burg. Vendimi u shpall nga gjyqtari i Apelit të Posacëm, Engert Pëllumbi, i cili, pasi mori edhe provat e reja të depozituara nga SPAK, në krye të tre ditëve, e konsideroi arrestin në burg të bazuar në ligj dhe prova.

Në një vendim që pritet të zbardhet brenda afateve, gjyqtari vlerëson si rrethanë për ta paraburgosur Erjon Veliajn dyshimet për kryerjen e korrupsionit në nëntë raste.

Po ashtu, Gjykata e Apelit bie dakord me shkallën e parë për mundësinë e prishjes së provave dhe ndikimit tek dëshmitarët, për të cilat janë bindur edhe telefonatat e Erjon Veliajt të kryera gjatë muajit që ai ishte i arrestuar.

Njëri prej avokatëve, Maks Haxhia, e konsideroi SPAK-un si të dalë nga kontrolli dhe gjykatën si të parashikueshme.

Në të njëjtën ditë, gjyqtari Engert Pëllumbi refuzoi edhe kërkesën e bashkëshortes së kryetarit të bashkisë, e cila kërkoi heqjen e sekuestros preventive ndaj llogarive bankare.

Në këtë çështje, Ajola Xoxa la të heshtur Gjykatën e Posaçme, njësoj siç ka vepruar gjatë këtyre ditëve, teksa paraqitet për masën e urdhëruar nga gjykata.

Apeli la në fuqi edhe masat e detyrimit me paraqitje ndaj tre biznesmenëve që po hetohen në gjendje të lirë. Dy të tjerë, Fatmir Bektashi dhe Sokol Kryeziu, nuk e kishin apeluar masën.

Ndërkaq, i vetmi për të cilin ndryshoi masa është Elman Abule, i cili kalon nën arrest shtëpie me detyrimin për të mos i lënë këto ambiente.

Në këtë dosje janë nën hetim tetë persona, të cilët dyshohen se korruptuan dhe u korruptuan, njëra palë duke ofruar të mira materiale dhe tjetra, në këmbim të tyre, duke favorizuar me lejet e ndërtimit dhe fondet e bashkisë.

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - Bileta