Masa sigurie pa gjyq, i cilëson kryeministri Edi Rama arrestimet e bëra me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme në Universitetin Bujqësor, ndërsa njofton kërkesën e rektorit Fatbardh Sallaku për t’u dëgjuar para Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste.

Rama thotë se rektori i UBT-së nuk rezulton i lidhur me këtë hetim, por do të flasë ‘për një keqkuptim shumë të madh’.

“Nesër në 09.00 Grupi Parlamentar i shumicës qeverisëse do të dëgjojë me kërkesën e tij, Rektorin e Universitetit Bujqësor, Fatbardh Sallaku, lidhur me 24 masa sigurie PA GJYQ për stafin dhe pedagogët e universitetit për disa procedura të disa viteve me parë në shumën totale më pak se 30 milionë lekë! Vetë rektori, i cili nuk rezulton i lidhur me këtë hetim, flet për një keqkuptim shumë të madh dhe kërkon të dëgjohet publikisht, në një moment historik kthese për Universitetin Bujqësor që ka hyrë në rrugën e transformimit me synim njehsimin e plotë të diplomave me Universitetin BOKU të Vienës në Shqipërinë 2030”, shkruan Rama në një postim në rrjetet sociale.

Mes të arrestuarve janë Eduart Terthorja, administrator i Universitetit, Altin Murto, drejtor i fondeve publike në universitet dhe Amarildo Lleshi drejtor i prokurimeve publike në universitet, Mehmet Qoshja, specialist për fondet. Ndërsa Pirro Zogu, që rezulton se jeton jashtë vendit, është shpallur në kërkim.

Për dy zëvendësrektorët, Ilir Kapajn dhe Romina Koton, është caktuar masa detyrim paraqitje.

Dyshohet se ata janë përfshirë në tenderë të ndryshëm dhe akuzohen për shpërdorim detyre, shkelje të barazisë në tendera dhe falsifikim dokumentesh.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA