Nuk mjafton koha/ Mbledhja e firmave për ndryshimin e Kodit Elektoral has pengesën e parë, TCH zbulon shkresën drejtuar KQZ

09/09/2026 13:54

Nisma për mbledhjen e  20 mijë firmave për ndryshimin e kodit zgjedhor has në pengesën e parë, mungesën e kohës.

Gazetarja e Top Channel Elda Menga ka zbuluar shkresën e grupit nismëtar për ndryshimin e ligjit zgjedhor drejtuar KQZ që i kërkon shtyrjen e afatit për mbledhjen e nënshkrimeve deri më 15 dhjetor.

Përfaqësuesi i komitetit nismëtar Kristaq Kume në shkresën drejtuar KQZ i  shpreh shqetësimin se procesi i mbledhjes së firmave është duke u përballur me sfidën e kohës duke kërkuar mirëkuptim e Komisionerit Ilirjan Celibashi për një vendimmarrje te re.

Me 15 qershor KQZ  i dha dritën jeshile mbledhjes se firmave për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, raporton Top Channel.

Një grup aktivistësh të shoqërisë civile më në krye ish kreun e KQZ Kristaq Kume propozuan ndarjen e vendit në  katër rajone zgjedhore, lista 100% të hapura, mundësi të kandidimit përmes listave qytetare, depolitizimin e  administratës zgjedhore, lehtësimin e votimit për personat me aftësi të kufizuara dhe forcimin e kontrollit mbi financimin politik. Paketa parashikon gjithashtu masa më të ashpra ndaj shkeljeve zgjedhore.

Top Channel