
Është publikuar raporti kombëtar për sigurinë në internet të fëmijëve nga platforma iSIGURT.al.
Raportimet më të shumta vijnë nga Tirana dhe Durrësi dhe janë kryesisht për shantazhe, përndjekje dhe kërcënime. Bazuar në të dhënat e INSTAT-it mbi 82% e popullsisë së vendit kanë akses të plotë në internet, që do të thotë se përdorimi i sigurt i platformave online është një nga sfidat më të mëdha aktualisht.
“Si asnjëherë tjetër në gjithë këto vite raportimi, përgjatë vitit 2024, kemi 407 raste incidentesh online, të ardhura pranë platformës isigurt.al. Vajzat janë ato që kanë raportuar më shumë dhe janë po vajzat që janë më së shumti viktimat në incidentet online. Grupmoshat më të rrezikuara janë fëmijët nga 15-18 vjeç që mbajnë rekordin e raportimeve.
Bullizmi dhe gjuha e urrejtjes përbëjnë 40% të totalit të raportimeve. Gjatë 2024 patëm edhe raste të shumta ku vajza kryesisht, por edhe djemtë u është bërë presion dhe u janë kërkuar para, vlera monetare në këmbim të një fotoje që mund t’i kenë dërguar njëri-tjetrit. Mos të harrojmë që ka pasur edhe materiale me përmbajtje seksuale online, ku faqe të ndryshme dhe jo vetëm në rrjetet sociale janë hapur me një domein.al në Shqipëri, apo jashtë Shqipëria, por me domein shqiptar ku ka pafund materiale me fëmijë që kanë pësuar një formë të dhunës me shprehi të dhunës seksuale online.
Një fëmijë që ndodhet aktualisht në kushtet e shantazhit, bullizmit, presionit, ose të çfarëdolloj incidenti, menjëherë në web klikon isigurt.al. Pasi plotëson të dhënat që janë plotësisht konfidenciale, do të thotë që ai raportim ka ardhur menjëherë dhe analistët e platformës isigurt.al analizojnë rastin dhe e kalojnë në mënyrë të menjëhershme tek rrjetet sociale për ta fshirë atë material apo incident që ka ndodhur”, shprehet Borjana Dine, Platforma Isigurt.al.
Top Channel