Nga Donald Trump tek presidenti italian, ja liderët europianë që nisën urimet e tyre për 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

16/02/2025 22:49

Kosova feston përvjetorin e 17-të të Pavarësisë së saj, ndërsa të shumtë janë liderët botërorë që kanë uruar popullin e Kosovës.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, përmes letre dërguar presidentes Osmani shprehet se:

“Lidhjet midis popujve tanë janë të forta dhe ne presim me padurim t’i zgjerojmë ato, veçanërisht përmes rritjes së mundësive për investime, me qëllim që të sjellim më shumë prosperitet për të dyja vendet tona. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë me Kosovën në forcimin e institucioneve demokratike dhe promovimin e rritjes ekonomike përmes një mjedisi të qëndrueshëm dhe të drejtë biznesi, dhe se “SHBA-ja mezi pret të ndërtojë lidhje më produktive me Qeverinë e Kosovës”.

Përmes një letre i përcolli urimet e tij edhe Mbreti Charles III i Anglisë.

“Jam shumë i kënaqur që vendet tona ndajnë lidhje kaq të forta, dhe shpresoj ta forcojmë edhe më tej miqësinë tonë. Shpresoj dhe kam një ambicie të fortë që kombet tona të bashkëpunojnë për të pasur një ndikim pozitiv mbi ndryshimet klimatike dhe çështjet mjedisore, të cilat ndikojnë globalisht te të gjithë ne”, thuhet në mesazh që mban po ashtu edhe emrin e Mbretëreshës Camila, e cila i dërgon “urimet më të mira” presidentes Osmani dhe gjithë qytetarëve të Kosovës.

Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier në urimin e tij ka riafirmuar mbështetjen e Gjermanisë për pavarësinë dhe rrugën evropiane të Kosovës, duke rikujtuar se shteti i tij në shkurt të vitit 2008, ishte ndër vendet e para që njohu shtetin e Kosovës.

“Gjatë këtyre viteve, kemi thelluar vazhdimisht bashkëpunimin tonë, qoftë në politikat e sigurisë, në reformat për përafrimin me BE-në apo në fushën e politikave të klimës dhe energjisë”, thuhet në urimin e Presidentit Steinmeier.

Mbështetje për pavarësinë dhe integrimin evropian të Kosovës ka dhënë edhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron.

“Përballë çrregullimeve dhe fragmentimit të botës, perspektiva evropiane e Kosovës, si e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, duhet të rikonfirmohet. Ju siguroj për përkrahjen e Francës për të mbështetur vendin tuaj në këtë rrugë”, thuhet në urimin e tij.

Në mesazhin e tij, Presidenti italian Sergio Mattarella thotë se”Republika e Italisë mbetet një partner i përkushtuar i Kosovës, duke mbështetur përparimin e saj drejt integrimit euroatlantik dhe fuqizimin e demokracisë dhe stabilitetit në rajon”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA