![](https://top-channel.tv/wp-content/uploads/2025/02/WhatsApp-Image-2025-02-10-at-15_sd-800x450.jpg)
Kryeministri Edi Rama, përmes një videomesazhi, iu përgjigj komentit të një qytetari që thotë se merita e ‘boom-it’ të turistëve në vendin tonë është e Zotit që na ka falur bukuri natyrore dhe jo e qeverisë.
Sipas kryeministrit, është puna e qeverisë që ka bëri që Shqipëria të marrë ftesë ‘si vend nderi në Panairin Global të Turizmit në Berlin’. Përmes fjalive pyetëse, ajo nënkupton se falë punës së qeverisë, Shqipëria është bërë lajm në mediat ndërkombëtare, ndryshe nga më parë, kur sikurse shprehet ‘r qeverisnin ata që e bënë vendin katran në sytë e botës’.
Qytetari: Nuk është merita jote që vijnë shumë turistë, është merita e Zotit që na ka falur një vend të bukur e të bekuar, por është për të ardhur keq që nuk kemi ditur të zgjedhim njerëzit e duhur për të na drejtuar, se edhe ti njësoj me Berishën e Metën je, nuk ke asnjë ndryshim, prandaj më mirë rri rehat sa të kesh pushtet se Inshallah të vjen dhe ty radha, sikurse ju erdhi atyre të luftosh nëpër gjykata e nëpër burgje.
Rama: Merita e Zotit d.m.th, ftesa për Shqipërinë si vend nderi në Panairin Global të Turizmit në Berlin. Ndërsa kur bie shi në tre orësh, sa binte dikur në tre muaj, sikurse ndodh kudo në Evropë, është faji im, faji i qeverisë. Dakord, por lind pyetja kur na e fali Zoti këtë vend të bukur, kur erdha unë në qeveri apo kur Zoti bëri botën dhe i vuri shqiptarët? Pra, meqë qenkemi të gjithë njësoj, pse nuk vinin më parë turistët, para se të vinte PS bashkë me mua në qeveri. Meqë deti, mali, lumenjtë ishin aty, pse nuk na zinte njeri në gojë, por vetëm për plehrat dhe tërë të zezat? Kush e përmbysi këtë histori të marrëdhënies së botës me ne dhe kush i bëri të gjitha mediat e botës të flasin për Shqipërinë si destinacion turistik. Zoti? Po pse u kujtua Zoti këto vitet e fundit që jemi ne në qeveri, dhe nuk deshi t’ia dinte më parë kur qeverisnin ata që e bënë vendin katran në sytë e botës. Siç thotë populli, Zoti ndihmon ata që ndihmojnë veten dhe Shqipërinë turistike e bëmë ne. Ditët më të mira do vijnë, sepse punojmë për to. Ne jemi vetë ndryshimi.
Top Channel