Kushti i vendosur nga Partia Demokratike për të lejuar të votojnë në zgjedhjet e 11 majit edhe emigrantët shqiptarë me dokumente identifikimi të huaja nuk do të pranohet nga mazhoranca duke rrezikuar kështu miratimin e ndryshimeve në Kodin zgjedhor.
Kreu i grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Niko Peleshi në një intervistë për Top Channel tha se kërkesa e Partisë Demokratike është e parealizueshme dhe pavarësisht negociatave ngërçi duket i pazgjidhshëm. Por ndërsa drafti që mban vetëm firmat e PS parashikon 3 ndryshimet që lidhen me afatet e regjistrimit, mbulimin e kostos së postës nga buxheti i shtetit dhe kompozimin e komisionin e numërimit nga përfaqësues të dy forcave kryesore politike kushti i ri i vendosur nga opozita sipas Peleshit është i qëllimshëm për bllokimin e draftit të dakordësuar.
Ndërsa në mbledhjen parlamentare të së enjtes pritet të ketë përsëri debate dhe diskutime mes palëve nëse opozita nuk tërhiqet nga kushti i saj dhe rrezikon miratimin e draftit me 3 pikat e dakordësuara , socialistët duket se kanë nisur tentativat që të plotësojnë votat e nevojshme me aktorët e tjerë politikë.
Nëse nuk arrihet të sigurohen 84 votat e nevojshme për miratimin e ndryshimeve në Kod, rrezikohet edhe pagesa në kthim për votën e emigrantëve nga buxheti i shtetit e po ashtu edhe afatet sidomos për emigrantët e SHBA, Kanadasë dhe Australisë.
Top Channel