Në një raport të publikuar së fundmi për sigurinë e të ardhurave në moshën e tretë për vendet në tranzicion ekonomik Banka Botërore ka prezantuar veprimet që duhen ndërmarrë për sigurimin e të ardhmes ekonomike të kësaj shtrese vulnerabël.
Janë gjashtë këshilla kryesore ku në krye të listës përmendet përfshirja në skemën e sigurimeve të grave dhe punonjësve informalë, konsensusi me grupet e interesit për derdhjen e kontributeve, së treti transparenca e të dhënave, së katërti zhvillimi i teknologjive për derdhjen e kontributeve nga telefoni, ndërgjegjësimi i brezave për pensionet dhe zhvillimi i produkteve financiare që mbështesin me të ardhura moshën e tretë.
Organizata e njohur ndërkombëtare është në bisedime me qeverinë shqiptare për të krijuar skemën e re të pensioneve sociale. Skema pritet të rrisë në mënyrë të qenësishme standardin e pensionit minimal dhe mesatar.
Ndër masat e para që qeveria mori gjatë vitit të kaluar ishte ngritja e një task-force të veçantë për kontrollin e bizneseve që kanë punonjës të padeklaruar apo me paga të nëndeklaruara, për të sjellë ndërgjegjësim tek bizneset.
Gjithashtu Banka e Shqipërisë është duke punuar ngushtësisht me institucionin ndërkombëtar për të krijuar një skemë të re për vlerësimin e riskut të kredisë. Gjithashtu Banka Botërore ka ofruar asistencë për analiza më të detajuara për akses në financim për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.
Guvernatori Sejko gjithashtu u shpreh se Banka Botërore pritet të luajë një rol kyç edhe në rrugën e përshtatjes së sistemit bankar në end me standardet evropiane, si një aspekt i rëndësishëm i integrimit evropian.
Top Channel