Ideologji e kundërt, por superlativa për njëri-tjetrin/ Çfarë u diskutua në bisedën mes Donald Trump dhe kryeministrit britanik

27/01/2025 13:44

Edhe pse hendeku mes profileve të tyre politike dhe ideologjike është i gjerë sa vetë Oqeani Atlantik, Donald Trump dhe Sir Keir Stamer, biseda e parë që kreu i Shtëpisë së Bardhë e bërë me një udhëheqës perëndimor të rëndësishëm pas inaugurimit, duket se ka qenë e ngrohtë dhe personale.

Pasi ka ngushëlluar kryeministrin britanik për humbjen e vëllait dhe duke folur me superlativa për familjen Mbretërore, Trump dhe Stamer gjatë 45 minutave të bisedës mes tyre kanë rënë dakord të takohen së shpejti dhe të diskutojnë më tej për marrëdhëniet bilaterale dhe ato me interes të madh ndërkombëtar.

Tradicionalisht presidentët amerikan të parën vizitë jashtë e bëjnë në Britani, por kësaj here Trump tha ajo mund të jetë si Arabia Saudite ashtu edhe Britania.

Varësisht se ku do shkoj fillimisht Trump, padyshim Britania do jetë stacioni i pare i tij në kontinentin evropian, duke konfirmuar marrëdhëniet speciale mes dy aleatëve më të ngushtë tradicional.

Interesante në këtë bisede ka qene uvertura e kryeministrit britanik ku ai gjate bisedës ka thënë se planifikon të shkurtoj rregullat në përpjekje për të përmirësuar ekonominë britanike, çështje kjo prioritare në fushatën e Trump. Por dukshëm nuk është folur për rritjen e shpenzimeve të vendeve anëtare të Nato-s siç kërkon Trump apo Ukrainën.

Nuk dihet sa do zgjas muaji i mjaltit politik mes dy aleatëve të mëdhenj ku  raporti mes të dy liderëve është i rëndësishëm për marrëdhëniet anglo-amerikane, por edhe ato ndërkombëtare.

Gjatë të hënës dy ministrat e jashtëm Rubio dhe Lammy do bisedojnë më hollësisht për këto raporte.

Më herët Trump ka vlerësuar publikisht cfarë ka bërë deri më tani Stamer si kryeministër i Britanisë në kontrast me komentet e njeriut të afërt  të tij, Elon Musk, njeriut më të pasur në bote, bosit të Teslas dhe platformës X.

Pavarësisht tonalitetit të ngrohtë dhe diplomatik të liderët do duhet të jenë fleksibël dhe akomodues në maksimum mes tyre, ku sfida më e madhe është dakortësimi në publik i ujdive dhe akordeve politike dhe ekonomike mes Uashingtonit dhe Londrës në një botë të paparashikueshme me liderin më të rëndësishëm të Botës së Lirë edhe më të paparashikueshëm se në mandatin e parë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA