Të shtëna me armë pranë një shkolle në Turqi, plagosen 11 persona, arrestohet 15-vjeçari

22/09/2026 11:43

Një 15-vjeçar është arrestuar pasi të paktën 11 persona u plagosën në një sulm me armë jashtë një shkolle të mesme në provincën Manisa, në perëndim të Turqisë.

Dy prej të plagosurve ndodhen në gjendje kritike, pasi një person i armatosur hapi zjarr të martën në mëngjes dhe më pas u largua nga vendngjarja. Ngjarja ndodhi pranë Shkollës së Mesme Profesionale dhe Teknike Anadolli Inci Üzmez. Sipas autoriteteve, 15-vjeçari, i cili dyshohet se është nxënës i kësaj shkolle, është ndaluar nga policia.

Ministri turk i Drejtësisë, Akın Gürlek, tha se janë ndaluar gjithashtu nëna, babai dhe gjyshi i të dyshuarit. Motivi i sulmit nuk është bërë ende i ditur.

Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë të dyshuarin duke lëvizur në rrugët pranë shkollës me një armë në dorë dhe më pas duke u larguar nga vendi i ngjarjes.

Sipas ligjit turk, adoleshenti duhet të dalë përpara gjykatës përpara se të merret një vendim për arrestimin e tij zyrtar. Ministria turke e Arsimit e cilësoi ngjarjen si një incident që ka tronditur komunitetin arsimor dhe njoftoi se tre hetues kombëtarë janë dërguar në Manisa.

Ky është sulmi i tretë me armë në një shkollë në Turqi gjatë këtij viti. Dy sulme vdekjeprurëse në prill shkaktuan masa të reja sigurie, përfshirë kontrolle më të rrepta për armët.

Top Channel