Erdogan kërkon OKB pa veto, Presidenti turk kërkon reformë të Këshillit të Sigurimit dhe përfaqësim më të drejtë
Një 67-vjeçar amerikan, i cili u lidh me shirit ngjitës në sediljen e tij gjatë një fluturimi të American Airlines, ka deklaruar në gjykatë se nuk kujton asgjë nga incidenti që çoi në devijimin e avionit.
Ngjarja ndodhi më 3 shtator dhe Layne Lundeen po udhëtonte nga Dallas, Teksas, drejt Newark, Nju Xhersi. Avioni u detyrua të devijonte dhe të kryente një ulje emergjente në aeroportin Thurgood Marshall të Baltimore/Washington.
Sipas raportimeve, Layne Lundeen u akuzua për sjellje të çrregullt dhe sulm të shkallës së dytë. Pas uljes së avionit, autoritetet e arrestuan.
Gjatë një seance gjyqësore të zhvilluar të nesërmen, Lundeen u shpreh se nuk kishte dijeni për atë që kishte ndodhur.
“Kam sulmuar një oficer policie? Kështu thotë këtu? Nuk i kam syzet. O Zot, çfarë rrëmuje… Nuk mbaj mend asgjë”, ka reaguar ai i habitur teksa i janë lexuar akuzat.
Çfarë ndodhi në avion?
Disa pasagjerë kanë deklaruar se Lundeen kishte bërë komente fyese dhe përdorur gjuhë vulgare gjatë fluturimit.
Juan Mejia, një ish-punonjës i forcave të rendit dhe një nga pasagjerët që ndihmuan për ta neutralizuar, tha për ABC se 67-vjeçari dyshohet se kishte bërë “komente denigruese” ndaj stafit dhe pasagjerëve të tjerë, përfshirë ofendime raciste dhe homofobike.
Një tjetër pasagjer, Richard Olenick, tha për CNN se Lundeen dyshohet se ishte përpjekur të godiste pasagjerin pranë tij dhe një grua që kishte ndërhyrë.
Olenick, i cili gjithashtu ndihmoi në kufizimin e lëvizjeve të tij, tha se shiriti ngjitës ia kufizoi ndjeshëm lëvizjet, por nuk e ndaloi plotësisht rezistencën.
Ndërkohë kompania ajrore deklaroi se siguria e pasagjerëve dhe e stafit është përparësia kryesore e kompanisë.
“Siguria dhe mbrojtja e klientëve dhe anëtarëve të ekipit tonë janë prioriteti ynë kryesor dhe ne nuk tolerojmë dhunën”, tha kompania, duke falënderuar stafin për profesionalizmin dhe pasagjerët për mirëkuptimin.
Hetimet dhe procedurat gjyqësore ndaj Lundeen vijojnë.
Top Channel