Në Gjirokastër është rikthyer eventi kinematografik i radhës, “Janari, në festën e filmit shqiptar”.
Eventi që sjell produkte të veçanta të filmit dhe kinemasë shqiptare u çel me filmin dokumentar të Valmir Tertinit kushtuar aktorit të njohur shqiptar Bekim Femiu.
Dokumentari një nga arritjet më të mëdha kinematografike të Tertinit është xhiruar në 6 shtete të ndryshme dhe ka prekur nga afër jetën e aktorit të parë shqiptar që ja doli të krijojë një karrierë që preku majat e kinematografisë botërore.
Bekim Fehmiu sillet në dokumentar përmes rrëfimeve të të afërmve, personazheve të tjerë që aktruan pranë tij, miqve dhe prej një arkivi fotografik. Personazhi i tij disi i vështirë për nga karakteri dhe vazhdimisht i keqkuptuar prezantohet për herë të parë në këtë format autentik për publikun në Gjirokastër.
“Filmi i aktorit të madh Bekim Femiu një figurë e madhe e aktrimit shqiptar i cili theu barrikadat e Ballkanit dhe kapërceu deri në Hollivud me filmat e tij. Ai ka lënë një pasuri mjaft të madhe dhe spektatori njihet me gjithë jetën e tij artistike”, thotë Skënder Jaçe
Festa e filmit do të vazhdojë edhe për dy netë të tjera në Gjirokastër për të sjellë një kronologji të historisë së kinemasë, rënies dhe ringritjes së saj.
“Kemi gjithashtu një film mjaft interesant shqiptar që bën fjalë për zhvillimet e kinematografisë shqiptare që nga ngritja e Kinostudios “Shqipëria e Re” dhe më pas rrjetin e kinemave që erdhi duke u degraduar dhe shkatërruar deri sa fillon ringritja e tij tani pas kaq vitesh. Natën e tretë siç thashë kemi “Kapedanin” , restauruar kohët e fundit në variantin 4K dhe në pastrimin e pistave të audios. Kemi përzgjedhur edhe një paketë filmash vizatimorë për moshat e vogla që ta ndjejnë edhe ata këtë pjesë të e kranit të madh në Gjirokastër”, shton ai.
Kinemaja ka një traditë gati shekullore në Gjirokastër, që prej vitit 1927. Qyteti u bë sheshxhirim për disa nga filmat më të rëndësishëm shqiptarë dhe të huaj. Festa e filmit në dimër pason një radhë eventesh verore të Open Cinema ku publiku është njohur me disa nga produktet më të mira të kinemasë moderne shqiptare por edhe dramën e komedinë bashkëkohore ndërkombëtare. Kinemaja i është rikthyer qytetit pas një mungesa prej më shumë se tri dekadash.
Top Channel