Dhuratat nuk janë gjithmonë thjesht dhurata. Kështu ka rezuluar nga hetimi pasuror i SPAK që ka zbuluar se si Eridian Munoz Guerriero i cili në vendin e tij njihet si Eridian Veliu angazhoi kompani ndërtimi dhe të afërm për të pastruar paratë e kokainës.
Në dosjen që Top Channel disponon ku gjatë javës u kërkua konfiskimi i 21 pasurive, rezulton se në një rast një kompani ndërtimi në qytetin e Vlorës i fali në 2013 një të afërmi të trafikantit katër apartamente në zonën e Ujit të Ftohtë.
Në episodin tjetër blerja e një trualli prej 444 metra katrorë tokë gjatë martesës nga bashkëshortja shqiptare, e cila ja kaloi pjesën e pronësisë trafikantit konsiderohet gjithashtu e pajustifikuar nga SPAK dhe për këtë arsye kërkohet konfiskimi.
Emri i vlonjatit i cili mori mbiemrin e bashkëshortes kolumbiane doli nga hetimet e Belgëve, që hetuan 124 narkotrafikantë të ekspozuar jo vetëm nga përgjimet por edhe bisedat në Sky Ecc.
Si të dyshuar se porositën krime përmes këtyre aplikacioneve, në Shqipëri janë goditur disa organizata kriminale, anëtarët e të cilave janë edhe nën hetim pasuror, raporton Anila Hoxha.
Në shumë shtete në Evropë po kryhen hetime ndaj shtetasve që u prekën nga çështjet e Sky ECC dhe Enchro chat dhe ku ata dalin të implikuar në çështje të ndryshme.
Dosja e parë e finalizuar nga SPAK që nxori emra zyrtarësh të policisë , prokurorisë, biznesmenë dhe ish deputetë është Metamorfoza, që ishte objekt në Gjykatën kushtetuese e cila njëzëri vendosi të legjitimojë hetimet bazuar në SKY ECC.
Pavarësisht hetimeve voluminoze të prokurorisë së posaçme SPAK dhe masave të aprovuara nga gjykata, deri më tani asnjë shtetas shqiptar nuk e ka dorëzuar aplikimin e tij në gjykatën e Strasburgut. Me shumë gjasë çështja numër një që do tu vijë prej Shqipërisë do të jetë ajo e “Metamorfozës”.
Top Channel