Shpallen rezultatet e vlerësimit ndërkombëtar TIMSS 2023: Shqipëria shënon progres në matematikë dhe shkencë

04/12/2024 15:40

Gjatë publikimit të rezultateve të sotme të TIMSS 2023, Shqipëria renditet për herë të parë mbi mesataren ndërkombëtare në Matematikë.

Ky vlerësim ndërkombëtar e rendit Shqipërinë në listën e 14 shteteve me rezultate në rritje në matematikë dhe në listën e 15 shteteve me rezultate në rritje në shkencë.

Shqipëria ka shënuar një progres të dukshëm në vlerësimin ndërkombëtar TIMSS 2023, duke përmirësuar rezultatet në Matematikë dhe Shkencë dhe duke u renditur për herë të parë mbi mesataren ndërkombëtare në Matematikë. Ky vlerësim, i cili përfshiu në vendin tonë 200 shkolla dhe 5143 nxënës të klasës së katërt, u zhvillua për herë të parë në format digjital (CBA).

Shqipëria për herë të parë shënoi një rezultat prej 512 pikësh në Matematikë, ose 9 pikë mbi mesataren ndërkombëtare që është 503 pikë.

Nxënësit tanë e renditën Shqipërinë në vendin e 33-të nga 58 shtete dhe 5 ekonomi pjesëmarrëse, duke lënë pas vende si Kanadaja, Spanja, Belgjika, Franca, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Kosova, Bosnja-Hercegovina, etj,.
8% e nxënësve shqiptarë arritën nivelin e avancuar të aftësive, duke tejkaluar mesataren ndërkombëtare (7%).

Nga 49 shtete me rezultate të krahasueshme me rezultatet e TIMSS 2019, 14 prej tyre kanë rritje të rezultateve të TIMSS 2023, 22 shtete nuk kanë ndryshim në rezultate, ndërsa 13 shtete kanë rënie të rezultateve.

Shqipëria është në listën e 14 shteteve me rezultate në rritje në matematikë. Në prezantimin ndërkombëtar të rezultateve, Shqipëria u cilësua si një ndër shtetet me rritjen më të lartë të pikëve në lëndën e matematikës, me një rritje prej 18 pikësh.

Shqipëria arriti një rezultat prej 491 pikësh në Shkencë, me një rritje prej 2 pikësh krahasuar me 489 pikët e vitit 2019, vetëm 3 pikë nën mesataren ndërkombëtare prej 494 pikësh. Vlen të theksohet se Shqipëria është vendi i parë në renditje, pas mesatares ndërkombëtare të Shkencës.

Shqipëria u rendit në vendin e 34-të për Shkencën, duke lënë pas shtete si Belgjika, Franca, Qiproja, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Kosova, Bosnje-Hercegovina etj,.

Nga 49 shtete me rezultate të krahasueshme, me rezultatet e TIMSS 2019, 15 prej tyre kanë rritje të rezultateve të TIMSS 2023, 21 shtete nuk kanë ndryshim në rezultate, ndërsa 13 shtete kanë rënie të rezultateve. Shqipëria është në listën e 15 shteteve me rezultate në rritje në shkenca.

TIMSS është një vlerësim ndërkombëtar që realizohet një herë në katër vite dhe organizohet nga Shoqata Ndërkombëtare për Vlerësimin e Arritjeve Arsimore (IEA). Ky vlerësim ndërkombëtar është një instrument kyç për matjen e cilësisë së arsimit në Matematikë dhe Shkencë.

Shqipëria u bë pjesë e TIMSS për herë të parë në vitin 2019 dhe performanca e saj është përmirësuar dukshëm në këtë vlerësim të fundit. Këto rezultate pasqyrojnë progres të qëndrueshëm dhe një angazhim për të përmirësuar cilësinë e arsimit. Performanca e nxënësve shqiptarë tregon një rrugë të qartë për arritjen e standardeve më të larta arsimore dhe një angazhim për zhvillimin e mëtejshëm të arsimit në nivel ndërkombëtar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA