Të paktën 5 manastire historike të ritit ortodoks në qarkun e Gjirokastrës janë vënë në fokusin e ekspertëve të trashëgimisë për t’i rijetëzuar dhe kthyer në stacione të vizitueshme të turizmit kulturor.
Një pjesë e objekteve që prej fillimit të shekullit të XII e deri tek ato me funksione komplekse që lidhen me fillimin e shekullit të XVII me vlera të rralla të arkitekturës dhe pikturës murale kanë pësuar dëmtime serioze ndër dekada dhe shpëtimi i këtyre vlerave është sipas ekspertëve me rëndësi kritike për të ardhmen. Një grup studiuesish, përfaqësues të turizmit, influencues në media sociale dhe gazetarë kanë përshkuar në këmbë shtigjet drejt disave prej tyre.
” Nuk na kishte qëlluar që të vinim dhe të zbulonim këto thesare. Jemi përballë portës së manastirit të Dhuvjanit dhe ishte realisht një surprizë shumë e madhe jo vetëm për madhështinë arkitekturore, strukturën por patjetër për pjesën shpirtërore, komunitetin që vazhdojnë ta mirëmbajnë.”
“Kemi dy ditë që kemi ndërmarrë këtë udhëtim në luginën e Drinos në manastire të ndryshme. Është një eksperiencë fantastike në këto manastire të mesjetës së vonë që ekzistojnë në luginë por që fatkeqsisht nuk janë promovuar siç duhet. Është një mbrekulli e natyrës ku lokalizohen këto manastire por edhe një potencial i jashtëzakonshëm për banorët vendas dhe turizmin.”
” Unë jam Keidi dhe jam kënaqur shumë në këtë udhëtim. Ka qenë si peligrinazh për mua sepse kemi vizituar manastire të shenjtë, vende me pastërti të natyrës por edhe me një ndjenjë shumë të bukur nga bekimet që kanë qenë në atë kohë kur manastiret kanë qenë tamam në funksion”
” Jam befasuar shumë pozitivisht për gjithë përvojën që patëm dhe si dikush që bën hiking e di sesa e vështirë është për personat e apasionuar pas hiking dhe sugjeroj fuqishëm”, thanë pjesëmarrësit.
Programi “Udhët Kulturore të Manastireve të Luginës së Drinos” pritet të kontribuojë në ruajtjen e komplekseve arkitekturore si manastiri i Ungjillizimit në Vanistër, manastiri i Mingulit ai i Dhuvjanit, Ravenës në fshatin Goranxi dhe manastiri i heremitëve në Spile. Ekspertët e Trashëgimisë Kulturore flasin për ndërthurjen e modelit të turizmit të qëndrueshëm me zhvillimin ekonomik të zonës.
“Ky aktivitet është pjesë e një projekti më të madh dhe përfshin disa manastire të luginës së Drinos. Do përqëndrohet në punime konservimi në dy prej tyre dhe do të zbulojmë të gjitha itineraret e vjetra që lidhnin dikur manastiret me njëri-tjetrin dhe do të krijojmë pika të cilat mund të vizitohen dhe të jenë pika atraksioni për këtë zonë e cila edhe pse është shumë afër Gjirokastrës nuk është shumë e njohur dhe shumë e eksploruar”, tha Elena Mamani përfaqësuese e CHwB.
Komunitetet që jetojnë përreth këtyre objekteve monumente kulture të kategorisë së parë do të duhet të rikthejnë në funksion aktivitete traditcionale të lidhura me jetën e manastireve siç ishte kultivimi i shumë prodhimeve, rite pastorale, zeje dhe traditën e peligrinazhit me natyrë jo vetëm fetare por edhe kulturore.
Top Channel