30 persona janë diplomuar në masterin e vetëm në rajon për integrimin në Bashkimin Europian.
Shqiptarë të moshave e profesioneve të ndryshme, qoftë në administratë publike, sipërmarrje apo shoqëri civile mbyllën rrugëtimin një vjeçar studimor në masterin ekzekutiv ‘për negociatat dhe anëtarësimin në BE’ në Universitetin e Tiranës.
“Është programi i parë që i shkon përshtat nevojës momentale në këtë hap të rëndësishëm për Shqipërinë hapjen e grupkapitullit të parë. Lëndët në program fokusohen te kapitujt e Shqipërisë me BE”, shprehet Aljula Jubani, drejtuese e Institutit të studimeve Europiane në Universitetin e Tiranës.
Ky program i ri studimi i ciklit të tretë arsimor që lindi me zhvillimet e negociatave të Shqipërisë në familjen europiane, synon të përgatisë burimet njerëzore e duhura që ti vijnë në ndihmë procesit. Teksa edhe të diplomuarit e shohin një mundësi të frytshme për karrierën e tyre.
“Unë punoj në Bashkinë e Lushnjës dhe aplikova, u përzgjodha. Njohuritë më kanë ndihmuar shumë në punë, e sidomos tani që mendoj se jemi në rrugën e anëtarësimit, mendoj se kam bërë zgjedhjen më të mirë”, thotë një vajzë e diplomuar.
“Unë punoj në shoqërinë civile e mendoj se kemi rrugë të gjatë në këtë proces, ndaj diploma do më vlejë pse jo të bëhem pjesë e procesit”, shprehet një tjetër.
Top Channel