25 milionë amerikanë kanë votuar personalisht ose me postë, sipas të dhënave nga Laboratori Zgjedhor i Universitetit të Floridës, e kjo falë faktit që disa shtete amerikane e mundësojnë votimin e hershëm.
Mes tyre, edhe shtete të lëkundura si Karolina e Veriut dhe Xhorxhia, të cilat shënuan pjesëmarrje rekord javën e kaluar në ditën e parë të votimit të hershëm.
“Votat e hedhura në Xhorxhia janë në nivele rekord. Votat e hedhura në çdo shtet janë në nivele rekord. Ne po ecim shumë mirë dhe shpresojmë se mund ta rregullojmë vendin tonë.“-u shpreh Trump.
Kjo pjesëmarrje masive në votimet e parakohshme vjen në një kohë kur sondazhet tregojnë se si republikani Donald Trump, ashtu edhe demokratja Kamala Harris gëzojnë mbështetje thuajse të barabartë në shtetet e konsideruara fushëbetejat e vërteta që mund të përcaktojnë fatin e zgjedhjeve të 5 nëntorit.
Trump ka tentuar së fundi të fitojë mbështetjen e rrymave fetare të krishtera, ndërsa Harris i ka fokusuar përpjekjet në shtetin kyç të Pensilvanisë, ku edhe një përqindje mjaft e vogël votash mund të rezultojë vendimtare.
Demokratja nuk ngurroi sakaq t’i shfrytëzonte komentet e shefit të kabinetit të ish Presidentit Trump, John Kelly, i cili tha për gazetën NewYork Times se Trump e plotëson “përkufizimin e përgjithshëm si fashist” dhe se ai i admironte diktatorët. Harris i quajti komentet e Trump të cituara nga Kelly si “thellësisht shqetësuese dhe tepër të rrezikshme”.
Top Channel