Ish-ministri i Financave, Shkëlqim Cani u thirr të hënën e 21 tetorit në Komisionin Hetimor për koncesionet në Shëndetësi, ku sqaroi rolin që ka pasur ky institucion në atë kohë.
Ai u ndal te rasti konkret i koncesioneve në Shëndetësi, ku u shpreh se ishte e pamundur që të bëhej me prokurim publik dhe se kostot ishin më të ulëta me PPP.
“Kjo është një pyetje do më falni jo për t’i shpëtuar, por gjysmë teorike gjysmë praktike. Koncesioni dhe PPP nuk di në do jemi ndër të fundit, por fillesat i ka në vitet 80. Kështu që nuk është një praktike që Shqipëria po e bën dhe të tjerët po diskutojnë ta bëjnë apo jo. PPP është i shpjeguar gjerësisht tani, unë e kam dhënë edhe leksion këtë. Ka të metat dhe të mirat e veta. Puna është si zbatohet dhe si kontraktohet. Prandaj është kërkesë ligjore dhe ju thashë që Ministria e Financave është munduar në të gjitha rastet që të jetë e përpiktë në kërkesat që ka ligji për ministrinë e Financave, aq sa kemi tagrin ligjor. MF ka detyrat e veta dhe ligji i ka të specifikuara. Meqë më është dashur ta gjej praktiken, pasi kam shkuar në SPAK, ne dhe në përgjigje i kemi rreshtuar cilat janë kërkesat ligjore të MF dhe pse ne këto kërkesa i kemi marrë parasysh dhe na janë plotësuar nga ministria e Shëndetësisë dhe kemi dhënë miratimin. Si janë kontratat konkrete të çdo PPP në krahasim me prokurimit publik kjo duhet parë.
Nisur vetëm nga letërkëmbimit dhe dokumentacioni për këtë praktikë, psh aty është thënë që PPP i kësaj praktike do jetë gati gjysma e kostos nëse do zbatohej metoda klasike. Për ne kjo ishte e përshtatshme. Nga ana tjetër unë mendoj se kjo çështja e PPP ka arritur në atë pikë që nuk është në nivelet e fillimit, ka ardhur koha që të rishihen në kuptimin me klasik të fjalës dhe të krijohen njësi të specializuara. Njerëzit kanë nevojë për kualifikime. Ne u mjaftuam me anën tonë, sepse në atë kohë sasi e kontratave ishte në fillesat e veta. Ne gjykuam se për aq kohë sa është në këto nivele aq përfituese është e mirë. Po të na kishte kërkuar ministria e Shëndetësisë me Prokurim Publik them që ishte e pamundur. Siç e gjykoj unë buxhetin e atyre viteve ishte e pamundur”, tha Cani.
Top Channel