Familja e Faton Hajrizit, të vrarë më 19 korrik në Serbi, ka paditur kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, zëvendësin e tij, Besnik Bislimin, deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhën dhe avokatin Gazmend Halilaj.
Dorëzimi i padisë në Gjykatën Themelore të Prishtinës nga avokati i familjes Hajrizi u bë, pasi të ata konsiderohet se kanë përdorur gjuhë denigruese në drejtim të Faton Hajrizit.
Familjarët e Hajrizit pretendojnë se ai nuk ishte kriminel siç është quajtur nga kreu i qeverisë dhe vartësit e tij.
“S’ka bërë vepra penale të quhet kriminel, kriminel quhet ai që mbyt gra dhe fëmijë“, tha vëllai i Faton Hajrizit.
Përmes kësaj padie kërkohet sqarim edhe për deklaratat e përdorura nga avokati Halilaj lidhur me rastin e vrasjes për të cilin ishte dënuar Faton Hajrizi menjëherë pas lufte.
“Më vret më shumë ky, që ka deklaruar se e di unë kush e ka vrarë rusin. Nuk e ka vrarë Fatoni rusin, ky duhet të thotë kush e ka vrarë rusin”, shton vëllai i Faton Hajrizit.
Faton Hajrizi u arratis nga burgu i Smerkonicës më 6 korrik të këtij viti, ku vuante dënimin për vepra të ndryshme pernale përfshirë edhe vrasjen.
Ai u arratis në drejtim të Serbisë, ku dyshohet se më 18 korrik, vrau një polic serb dhe plagosi një tjetër në kufirin mes Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës. Gjatë aksionit për kapjen e tij, ai u vra më 19 korrik në Serbi.
Top Channel