Marrëveshje për bujqësinë dhe administratën publike, Rama në Hungari: 350 milionë euro investime hungareze në Shqipëri, ndihemi të inkurajuar…

11/10/2024 22:30

Dy marrëveshje, njëra në bujqësi dhe tjetra në administratën publike, u nënshkruan në Budapest nga kryeministri hungarez, Viktor Orban dhe kryeministri i vendit tonë, Edi Rama.

Në fjalën e tij gjatë deklaratës për shtyp, kreu i qeverisë shqiptare, vlerësoi mbështetjen e Hungarisë në rrugëtimin drejt Bashkimit Europian të Shqipërisë, ndërsa u ndal te investimet hungareze në vendin tonë, që sipas Ramës, “arrijnë shifra mbreslënëse deri në 350 milionë euro”.

“Ne kërkojmë që të mësojmë gjithnjë e më shumë nga Hungaria dhe nga të gjithë ata që menaxhojnë sektorë të ndryshëm. Nënshkruam dy marrëveshje mirëkuptimi, në bujqësi dhe në administratën publike, që është shumë e rëndësishme për të gjitha ato vende që janë në procesin e anëtarësimit. Ne ndihemi të inkurajuar që shoqëritë hungareze po investojnë, shifra e investimeve që vijnë nga Hungaria është e pazakontë, bëhet fjalë për 350 milionë euro, është shifër mbreslënëse për ekonominë tonë”.

Kryeministri u ndal edhe te turizmi, me synimin për të thithur më shumë investime edhe në këtë sektor.

“Për momentin, ne po shikojmë një rritje të madhe të turizmit në Shqipëri. 10 milion kishim vjet, 12 këtë vit. Ne duam që edhe investimet në turizëm të pasojnë dhe të kemi flamurin hungarez në Shqipëri. Na pëlqen shumë flamuri hungarez, nuk e shohim sikur do të na pushtojë”.

Deklaratën e tij, Rama e mbylli me një batutë për këpucët që kishte veshur sot.

“I shpreh mirënjohjen e thellë Orbanit për mbështetjen e palëkundur për Ballkanin Perëndimor. Dua ta falenderoj që ka thënë se Ballkani Perëndimor është pa aq i rëndësishëm për BE-në, sa edhe BE për Ballkanin Perëndimor. Është kënaqësi të jem këtu, më vjen keq që nuk jam me këpucët që kërkon protokolli, por kam veshur thjesht disa këpucë të zeza të mërzitshme”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA