Asllani është gati, Uzuni lë grumbullimin/ Ja si pritet të rreshtohet Shqipëria në sfidën me Republikën Çeke pas ndryshimeve të fundit

09/10/2024 20:18

Teksa dy ditë na ndajnë nga dueli me Republikën Çeke, e vlefshme për Ligën e Kombeve, Sylvinho ka kryer dhe seancën e fundit stërvitore në Tiranë, me skuadrën që do të udhëtojë të enjten e 10 tetorit në Pragë.

Ndryshime të shpeshta kanë ndodhur gjatë këtij grumbullimi, ku pas largimit të Gjimshitit, skuadrës do t’i mungojë dhe Myrto Uzuni, i cili është zëvendësuar nga Indrit Tuci.

Gjithsesi për Sylvinhon ka dhe lajme të mira, me Kristjan Asllanin që do të jetë i gatshëm për duelin me Çekinë, edhe pse u përfol për një dëmtim.

Rreshtimi i mundshëm pritet të jetë ky: në portë Thomas Strakosha, i cili do të ndihmohet në mbrojtje nga Mitaj, Kumbulla, Ismajli dhe Hysaj. Treshja e mesfushës pritet gjithashtu që të mos ndryshojë, me Ramadanin, Asllanin dhe Laçin, teksa sulmi do të përbëhet nga Bajrami dhe Asani që do të mbështesin Dakun.

Ky i fundit vjen pas një forme mjaft të mirë në Rusi, duke lënë pas dënimin që mori në Europian për thirrjet racistë pas duelit me Kroacinë.

Gjithsesi çdo gjë do t’i ngelë në dorë teknikut Sylvinho, i cili do të shohë gjendjen e lojtarëve dhe në seancën e fundit stërvitore që do të kryejë në Pragë.

Për momentin Shqipëria ndodhet në vendin e dytë të Grupit B1 me tre pikë pas një fitoreje me Ukrainën 1-2 dhe një humbje me Gjeorgjinë 0-1. Takimi i ardhshëm për kuqezinjtë do të jetë kundër Çekisë më 11 tetor në orën 20:45 në Pragë dhe pas saj, ata do të udhëtojnë për në Tbilisi aty ku do të ndeshen me Gjeorgjinë tre ditë më pas.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA