Skema e mashtrimit me diplomat false, si u korruptua për një çantë Luis Vuitton presidentja e Këshillit të Akreditimit të Ascal, akreditoi Kolegjin Universitar Wisdom

17/09/2024 11:04

Hetimi mbi skandalin me shitjen e diplomave dhe certifikatave false nga Tirana për shtetas italianë, ku në krye të skemës së mashtrimit ishin dy administratorët e Kolegjit Universitar Wisdom në Tiranë, çifti Savino dhe Lucia Catalano, nxjerr në dritë persona të tjerë të përfshirë në këtë skemë.

Sipas mediave italiane, çifti kanë korruptuar zyrtarë shqiptarë të akreditimit të universiteteve, ku njëra prej tyre, konkretisht presidentja e Këshillit të Akreditimit të Ascal (Agjencia për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë), dyshohet se është korruptuar në këmbim të një çante Luis Vuitton, me vlerë rreth 1200 euro.

Savino Cianci i njohur edhe si Nino Cianci dhe Lucia Catalano u martuan në qershor të këtij viti, me një dasmë luksoze. Cianci ka postuar shpeshherë foto nga jeta e tij e bukur në vendin tonë, me udhëtime, takime të rëndësishme me profesorë, zyrtarë dhe projekte universitare. Në Shqipëri, përveç Universitetit Wisdom, çifti i italianëve ka edhe disa biznese të tjera, ndërsa në Itali Cianci dhe gruaja e tij janë aksionerë dhe drejtues të CS Consulting Group me seli në Foggia. Sipas dosjes së prokurorisë, Cianci kishte menaxhuar dhe organizuar “veprimtarinë kriminale dhe selinë e organizatës në qytetet Trani dhe Foggia”. Po sipas hetimeve ai “ka kryer menaxhimin e të ardhurave të paligjshme duke planifikuar dhe zbatuar ngritjen e zyrave kombëtare dhe të huaja, përfshirë ato virtuale, të kompanive që përfitojnë nga fitimet e paligjshme (Shqipëri)”.

Sipas mediave italiane, hetimet nisën pas një denoncimi të bërë nga një qytetar. Në pranga kanë rënë edhe Maria Saveria Modaffari, 38 vjeçe, Fortunata Giada Modaffari, 33 vjeçe, Maria Attisano, 57 vjeçe, Leonardo Catalano, 42 vjeç, Marco Lombardi, 52 vjeç, Antonio Caporale, 33 vjeç  dhe Maria ‘Mdaraa, 36 vjeçe.

Ndërkohë në një reagim për mediat, avokatja e përbashkët e tyre ka deklaruar: “tashmë kemi shpjeguar qëndrimin tonë për shumicën e akuzave para organeve të tjera gjyqësore. Këto ditë që na ndajnë nga marrja në pyetje do të mbledhim të gjithë dokumentacionin që kemi për të sqaruar aspektet e mbetura të historisë. Kemi besim të madh te organi gjyqësor procedues”.

Referuar mediave italiane, thuhet se ata merrnin afërsisht rreth 8 mijë euro për çdo diplomë apo vërtetim fals që u jepej “studentëve”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA