2 punonjës druri vriten me shigjeta nga grupi indigjen në Amazonën peruane (fotot)

04/09/2024 17:09

Dy punonjës të një kompanie druri janë vrarë dhe dy të tjerë janë të humbur pas një sulmi të raportuar nga popullata ‘e pakontaktuar’ në pyjet tropikale Mashco Piro.

Zhvillimi vjen teksa aktivistët indigjenë kanë kritikuar shpesh qeverinë për mungesën e mbrojtjes ndaj kompanive të shfrytëzimit të drurit në territoret e banuara prej tyre.

Sulmi i rëndë i të enjtes që shkoi është bërë publik vetëm kësaj jave, dhe ndodhi vetëm disa ditë para se autoritetet të pezullonin liçencën e një kompanie të drurit, të akuzuar se kishte hyrë në tokat e vjetra të grupit indigjen të njohur për mbrojtjen e territorit.

Shoqata indigjene peruane dhe grupimi Survival International kishin kërkuar anulimin e licencës së kompanisë së drurit Canales Tahuamanu, aktiviteti i të cilës është në kufi me territorin ku jeton grupi indigjen.

Eusebio Ríos, përfaqësues i shoqatës rajonale ku përfshihen 39 grupe indigjene të rajonit peruan Madre de Dios e Cusco, tha dje: “Kemi njerëz të plagosur, të vrarë, për të cilët nuk e dimë çfarë ka ndodhur”.

Ai ka kërkuar largimin nga zona të punëtorëve të drurit, pas konfrontimeve të shumta.

Sulmi i fundit ndodhi në lumin Pariamanu në Madre de Dios në territorin e popullatës indigjene vendase Mashco Piro, që është përfshirë pjesërisht në koncesionet e drurit.

Në një sulm të ngjashëm në gusht një punonjës druri u plagos ndërsa një tjetër u vra me shigjetë në incidentin e vitit 2022, shkruan rrjeti The Guardian.

Caroline Pearce, përfaqësuese e grupit të të drejtave Survival International, tha: “Kjo ishte një tragjedi e evitueshme. Autoritetet peruane e dinin se kjo zonë që i kanë shitur kompanive të drurit është në fakt territor Mashco Piro”.

Në vitin 2002, territori 829,941 hektarësh në rezervatin Madre de Dios u nda për jetesën e fiseve Mashco Piro në Amazonën juglindore të Perusë.

Në 2015, ministria e kulturës së Perusë, e cila kujdeset për çështjet aborigjene, zgjeroi zonat e mbrojtura  në Madre de Dios për të reflektuar territorin e potë të popullit Mashco Piro, megjithë kundërshtimin e ashpër nga industria e drurit, por masa nuk mori dekretin presidencial të miratimit.

Aktivistët thonë se Mashco Piro, popullata që arrin në 750 anëtarë, mund të jenë grupi “i pakontaktuar më i madh në botë”. Peruja llogaritet se ka rreth 25 grupe indigjene që jetojnë thuajse të pakontaktuar. Ky është numri dytë më i madh i këtyre grupeve në Amazonë, pas Brazilit, shkruan The Guardian.

FOTO GALERI
3/4
Fisi eshte thuajse 'i pakontaktuar'

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA