Një person është ende i zhdukur pasi mjeti ajror që kthehej nga një mision kundër zjarreve u rrëzua papritur në lumë.
Portugalia ka shpallur sot ditë zie pasi një helikopter i forcave zjarrfikëse është rrëzuar në lumin Douro River duke lënë të paktën katër të vdekur dhe një të humbur.
Vetëm piloti duket se i ka mbijetuar aksidentit në krahinën veriore Lamego mesditën e djeshme, teksa helikopteri po kthehej nga misioni zjarrfikës në Baião, pranë qytetit të Porto.
Trupat e dy viktimave u nxorrën nga helikopteri që ishte ndarë në dy pjesë, tha për mediat Rui Silva Lampreia, komandant i autoriteteve detare vendase.
“Po bëjmë kërkime nënujore në zonë ku ra helikopteri dhe në brigjet e lumit”, shtoi ai.
Shkaku i aksidentit ende nuk dihet.
Trupat e dy viktimave të tjera u gjetën pranë bishtit të helikopterit të rrëzuar ndërsa kërkimet për pasagjerin e pesë u ndërprenë gjatë natës dhe rinisën mëngjesin e sotëm.
Viktimat ishin të moshave nga 29 deri në 45 vjeç, të gjithë anëtarë të forcave të emergjencës e të xhandarmërisë, tha në një komunikatë mbrojtja civile.
Piloti 44 vjeçar, jo-ushtarak, u gjet gjallë me disa plagë të lehta, tha zëdhënësi i xhandarmërisë Mafalda Almeida.
Kryeministri Luis Montenegro udhëtoi në vendngjarje dhe u tha gazetarëve se e shtuna do të jetë ditë zie. Kërkimet e hetimet për ngjarjen vijojnë, shkruan rrjeti The Guardian.
Top Channel