Yahya Sinwar, që dyshohet se është arkitekti i sulmit vdekjeprurës të 7 tetorit ndaj Izraelit, lideri i ri i Hamasit, grupit të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, njihet për raportet e ngushta të tij me Iranin.
Emërimi i tij më 6 gusht si udhëheqës i byrosë politike të grupit palestinez u bë pas vrasjes së paraardhësit të tij, Ismail Haniyeh, në Teheran më 31 korrik, vrasje për të cilën Irani dhe Hamasi kanë fajësuar Izraelin.
Pas vdekjes së Haniyehut, i cili kishte lidhje të forta me zyrtarët iranianë, ndër emrat kryesorë që shqyrtoheshin për pasardhës të tij ishin Khaled Meshaal, ish-shef i byrosë politike të Hamasit dhe Khalil al-Hayya, një figurë e njohur brenda byrosë, që kishte lidhje të ngushta me Haniyehun.
Emërimi i Sinwarit, i cili ka qenë shef i Hamasit në Gazë që nga viti 2017, erdhi si befasi e madhe sepse shumë nuk e kishin llogaritur faktorin Iran, thanë analistët.
“Asnjë nga ne, ekspertët e çështjeve palestineze, veçmas këtu në Izrael, nuk e pamë Sinwarin si personin që do ta zëvendësonte Haniyehun”, tha Yohanan Tzoreff, hulumtues i lartë në Institutin për Studime të Sigurisë Kombëtare, me bazë në Tel Aviv. “Një arsye e madhe se pse Sinwari është lider i ri është Irani”, shtoi Tzoreff, i cili është i specializuar për raportet izraelito-palestineze.
Sinwar u emërua shef i ri politik dy ditë pas diskutimeve në Katar të Këshillit Shura, një trup konsultativ që zgjedh byronë politike të grupit dhe që ka anëtarë në Gazë, Bregun Perëndimor, burgjet izraelite dhe në diasporën palestineze.
Tzoreff tha se kritikat e Meshaalit gjatë Pranverës Arabe për presidentin sirian, Bashar al-Assad, aleatit të ngushtë të Teheranit, më 2011 e bënë atë një figurë mjaft jopopullore në mesin e zyrtarëve të lartë të Iranit.
Tzoreff argumentoi se rikthimi i Mashaalit në pushtet mund të jetë rrezikuar nga raportet e grupit radikal palestinez me Republikën Islamike dhe “iranianët mund të mos i jepnin Hamasit gjithçka që i duhet për të luftuar forcat izraelite”.
Por, Sinwar thuhet se ka mbetur në Gazë, ku ka qenë i fshehur që nga nisja e luftës me Izraelin në tetor. Kufizimet në lëvizjet e tij dhe aftësia e tij e kufizuar për të komunikuar me botën nënkuptojnë se Sinwar është shumë i kufizuar në atë që mund të bëjë.
“Nuk pres që ai apo Hamasi të afrohen më shumë me Iranin. Në këtë pikë, marrëdhëniet ka të ngjarë të qëndrojnë të njëjta”, tha Joost Hiltermann, drejtor për Programin e Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut në Grupin Ndërkombëtar të Krizave.
I formuar nga burgjet izraelit
I njohur nga mbështetësit e tij edhe si Abu Ibrahim, Sinwar 61 vjeç u lind në kampin e refugjatëve në Han Junis të Gazës. Prindërit e tij, sikurse të Haniyehut, u larguan nga qyteza bregdetare e Ashkelonit gjatë luftës arabo-izraelite më 1948 që rezultoi me krijimin e shtetit të Izraelit, apo siç e quajnë palestinezët, “nakba” (katastrofa).
Sinwar iu bashkua Hamasit pak pasi grupi u formua më 1987 dhe krijoi organizatën e tij të frikshme për siguri të brendshme, Al-Majd. Qëllimi i kësaj organizate ishte të gjente spiunët izraelitë brenda grupit. Ai fitoi reputacionin për dhunë dhe iu dha nofka “Kasapi i Han Junisit”.
Sinwar u kap nga forcat izraelite dhe u dënua me disa dënime me burgim të përjetshëm për akuza të ndryshme, përfshirë vrasjen e dy ushtarëve izraelitë. Ai qëndroi për mbi dy dekada në burg.
“Ai është një person që u ashpërsua në burgjet izraelite, sikurse shumë ish të burgosur palestinezë”, tha Hiltermann.
Ai tha se Sinwari mësoi hebraisht gjatë qëndrimit në burg dhe kjo i ndihmoi që të mësonte se si mendojnë udhëheqësit izraelitë.
“Sinwari është shumë i fortë. Ai është i pamëshirshëm. Ai është udhëheqës, në formën e çdo udhëheqësi izraelit”, tha Hiltermann.
Në kohën sa ishte në burg, Sinwar organizoi greva për të përmirësuar kushtet e punës dhe doli si një udhëheqës i palestinezëve të burgosur.
Përvoja e tij në burg “e përgatiti atë shumë mirë për udhëheqjen e Hamasit” dhe në planifikimin e sulmit të 7 tetorit, tha Hiltermann.
Pothuajse 1.200 persona, shumica civilë, u vranë kur radikalët e Hamasit sulmuan komunitetet në jug të Izraelit në tetor dhe morën pengje. Sulmi nxiti Izraelin të nisë një ofensivë të madhe në Rripin e Gazës të udhëhequr nga Hamasi, që sipas burimeve palestineze, ka lënë të vrarë më shumë se 40.000 persona.
Sinwar u lirua nga burgu më 2011 si pjesë e një këmbimi kur u liruan më shumë se 1.000 të burgosur palestinezë në këmbim të një ushtari izraelit që mbahej nga Hamasi.
Pak pas lirimit të tij, Sinwari e shoqëroi Haniyehun në një vizitë në Teheran, kur ai u takua me liderin suprem iranian, Ajatollah Ali Khamenei. Po në ditën kur u njoftua se Sinwari do të ishte pasardhës i Haniyehut, në llogarinë në X të Khameneit u publikua një video e shkurtër ku shfaqej takimi i Sinwarit me udhëheqësin iranian në shkurt të vitit 2012.
Mesazhi i Hamasit
Tradicionalisht, shefi i byrosë politike të Hamasit ka bazën jashtë vendit në mënyrë që ai të mund të udhëtojë dhe të mbajë kontakte me aleatët rajonalë, sikurse Irani dhe grupi terrorist libanez, Hezbollah.
Por, Sinwari, për të cilin sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, dikur kishte deklaruar me shaka se është “i varrosur 10 kate nëntokë”, që gjendet Gazë, nuk ka mundësi të largohet nga enklava për shkak të luftës.
Tzoreff tha se duke e emëruar udhëheqësin me bazë në Gazë, Hamasi u “dërgoi një mesazh të fuqishëm” Izraelit dhe shteteve arabe se “rezistenca e Hamasit nuk ka kolapsuar”.
“Mesazhi kryesor është se askush nuk mund t’i largojë ata nga zona”, shtoi ai. Personalisht Sinwar mund të mos dëshirojë të largohet nga Gaza për shkak se trashëgimia e tij është e bazuar në qëndrimin e tij në enklavë. “Nëse Sinwari largohet nga Gaza, palestinezët do të thonë se ai i ka braktisur, sikurse kapiteni që largohet nga anija”, tha Hiltermann.
Sinwar ka qenë në shënjestër të Izraelit që nga nisja e luftës, me zëdhënësin e ushtrisë, admiralin Daniel Hagari, që e ka përshkruar atë si “njeri të vdekur” pas sulmit të 7 tetorit.
Vrasja e Sinwarit mbetet prioritet për ushtrinë izraelite. Shefi i ushtrisë izraelite, gjenerallejtënant Herzi Halevi, u zotua më 7 gusht se trupat e tij do ta shënjestrojnë Sinwarin dhe do ta detyrojnë Hamasin “që ta zëvendësojnë sërish kreun e byrosë politike”./ REL
Top Channel