Në ishullin Taboga pranë kryeqytetit Panama City, peshkatarët morën pjesë në procesionin e përvitshëm të barkave Virgen del Carmen, në nder të shenjtores katolike të peshkatarëve Virgjeresha e Malit Karmel.
Peshkatarja 62 vjeçare vendase Dakmar Medina, tha për rrjetin AFP se e gjithë familja e saj kryejnë ritualet e devotshmërisë ndaj shenjtores së profesionit të tyre.
“Ne jemi këtu për ta falënderuar atë , Zonjën e Malit Karmel, për të gjitha ato që na jep. Për ato që ajo na jep dhe që do të vazhdojë të na japë. Bashkëshorti im është gjithashtu i përkushtuar ndaj Virgjëreshës. Ai është peshkatar toni dhe ka pasur shumë situata të vështira në det, por falë virgjëreshës jemi këtu sot”, rrëfente e kënaqur Medina.
Edhe prifti vendas Meliton Mudarra, tha se shenjtorja e peshkimit është një figurë e fuqishme shpirtërore për banorët:
“Për ata ajo është një forcë e madhe motivuese. Peshkatarët dalin në det dhe në çfarëdo që bëjnë përmendin atë, perëndeshën që u jep dhuratat nga deti. Ata e mbajnë atë në zemër sepse Virgjëresha është e shenjtë për ta”.
Peshkatari 41 vjeçar Ivan Ceballos, shtonte për rrjetin AFP:
“Kur zbukuroj statujën e virgjëreshës Virgen del Carmen, i lutem asaj për shëndet për veten, për familjen time dhe miqtë e mi, i lutem gjithashtu për paqe në botë. Ajo do t’i mbrojë ata nga këto luftëra që po ndodhin në botë kohët e fundit”.
Top Channel