Deti përpin rërën në Tunizi, përpjekje të dëshpëruara për të ndaluar erozionin

10/07/2024 18:23

Në qytetin e njohur bregdetar të Tunizisë, Hammamet, buldozerët vazhdojnë punën intensive për të përhapur rërë të imët në plazh në përpjekje për të luftuar erozionin e shkaktuar nga rritja e nivelit të detit.

Operacioni, që përsëritet për të disatin vit udhëhiqet nga Agjencia për Mbrojtjen dhe Zhvillimin e Bregdetit.

Por jo të gjithë besojnë se kjo është një zgjidhje në terma afatgjatë: “Ne besojmë se ka zgjidhje të tjera më efektive, siç janë muret e detit. Në të vërtetë, kjo rërë nuk mund të qëndrojë për një kohë të gjatë, mund të zgjasë vetëm disa ditë”, thotë Chihab Ben. Faraj, sekretar i përgjithshëm i Shoqatës për Edukim Mjedisor në Hammamet.

Erozioni bregdetar po dëmton turizmin, peshkimin dhe bujqësinë në Tunizi. Rritja e nivelit të detit po bën që plazhet e vendit të zhduken gradualisht. Kjo po e vështirëson jetën për industrinë e turizmit dhe peshkimit të vendit.

Në tre dekadat e fundit, deti ka lëvizur mesatarisht 70 centimetër çdo vit. Të paktën 85 për qind e popullsisë së Tunizisë prej më shumë se 12 milionë banorësh jeton në bregdet.

Rritja e nivelit të detit, e shkaktuar kryesisht nga shkrirja e akullit të shkaktuar nga ngrohja globale dhe rritja e temperaturave të ujit, janë një nga fajtorët kryesorë për erozionin e bregdetit. Mbipopullimi në plazhe dhe shkatërrimi i barrierave natyrore si dunat po dyfishojnë efektin e rritjes së nivelit të detit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA