Sekreti i Kadaresë/ Pirro Milkani në Top Story: Shkroi kryevepra, por nuk erdhi kurrë në shesh xhirimi

03/07/2024 23:21

Regjisori i shquar shqiptar, Pirro Milkani mori pjesë përmes një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin Top Story.

Milkani tregoi një detaj që shumë prej nesh mund të mos e dinin më parë, ku Kadare nuk shkonte në sheshxhirim edhe pse ishte autor i shumë kryeveprave.

“Kinemaja shqiptare nuk është provinciale, por profesionale, një kinema me përvojë dhe nivel të lartë artistik, një kinema ballkanike dhe evropiane, një nga shkaqet është se ne kemi marrë frymëzimin dhe inspirimin nga veprat më të mira të shkrimtarëve tanë si Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Vath Korreshi, Kiço Blushi e të tjerë. Kam pasur privilegjin fare i ri në moshën 31 vjeçare të realizoj filmin “Përse bie kjo daulle” në mbështetje të librit ‘Dasmat’ e Ismail Kadaresë, një film që më jepte kënaqësi dhe më bënte të njohur në publik.

Në mënyrë të veçantë pas 10 vitesh Ismail Kadareja çuditërisht në ndryshim nga filmat e tjerë kur regjisorët frymëzoheshin nga vepra e tij, shkroi skenarin e tij të parë me titull ‘Ballë për ballë’, mbështetur nga romani ‘Dimri i Madh’ me historitë dramatike të konfliktit shqiptaro-sovjetik.

Kujtoj që unë dhe Kujtim Çashku takoheshim gati ditë për ditë me Ismail Kadarenë në një kafene dhe ai si një nxënës shkolle me vëmendje na dëgjonte dhe na respektonte për kërkesat dhe vërejtjet që i bënim. Bashkëpunimi ishte i shkëlqyer, por natyra e tij ishte e tillë që pasi jepte kontributet, nuk erdhi asnjëherë në xhirim. Ballë për ballë është një ndër filmat më të rëndësishëm të kinemasë shqiptare”, tha regjisori.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA