Nga Aladin Stafa
Ndërsa Kampionati Europian vazhdon rrugëtimin e tij, të njëjtën gjë fatkeqësisht nuk mund ta themi për Kombëtaren tonë e cila nuk arriti dot të kalonte fazën e grupeve. Pasi kaloi afërsisht një javë që nga ndeshja e fundit me Spanjën, koha ka qenë e mjaftueshme për të analizuar me ftohtësi arsyet, problematikat por edhe polemikat e ngritura në media, se ku është gabuar e se ku mund të bëhej më mirë.
Kombëtarja arriti një kualifikim historik dhe kjo mbetet padyshim një ngjarje jo pak zakonshme për ne. I vlerësueshëm është gjithashtu edhe fakti që ajo arriti të dilte e para në grup. Sidoqoftë, mund ta pohojmë pa frikë se fati na rezervoi tre Kombëtare me peshë jo vetëm në futboll por edhe në histori dhe kulturë. Kjo e fundit logjikisht na e lehtëson shijen e hidhur të eliminimit, edhe pse ne jemi një komb që ushtrojmë trysni të lartë emocionale, nismë kërkuese gjithashtu.
E megjithatë a mund quheshim me fat që patëm gjithsesi një short të tillë?
Kush më mirë se këta kundërshtarë do t’i jepnin jehonë rrugëtimit tonë në këtë kompeticion? Sepse një gjë është fort e sigurt se të përballesh me kundërshtarë si Kroacia, Italia apo dhe Spanja është gjithmonë një vitrinë marketingu jo vetëm për lojtarët që ishin në fushë por dhe për vetë Shqipërinë.
Duke qenë se në vitet e fundit, turizmi ka qenë kryefjalë në vendin tonë, dritat e skenës kthyer nga ne gjatë këtyre tre ndeshjeve nxorën në pah akoma më tepër emrin e Shqipërisë.
Përtej fushës së blertë, një rol të rëndësishëm luajtën dhe tifozët e Kombëtares të cilët me performancën dhe karizmën e tyre treguan jo vetëm qytetari por edhe rënie të disa miteve në dekada.
Dhe për t’u kthyer në aspektin futbollistik, këto ndeshje gjithsesi krijuan disa debate në sallonet mediatike dhe jo vetëm. Ashtu sic dhe nisi në të vërtetë kjo aventurë që nga publikimi i listës nga trajnieri Sylvinjo, ashtu dhe shkoi.
Koincidencë ishte dhe përkimi apo paralelizmi i dy situatave që duket se na ktheu sërish në Europianin e 2016; skenari “Djimshiti” dhe “Gashi” megjithëse ishin raste që nuk ndikuan në eliminimin e Kombëtares. Po pse nuk ja dolëm dot atëherë?
Duke i lënë mënjanë një cast emrat që u shfaqën përballë, nga trajnieri u pa qartë që edhe pse reflektoi një punë të jashtëzakonshme nga ana e tij dhe e stafit, në disa fragmente u duk se u gjet i papërgatitur. Kjo dhe për shkak të eksperiencës së tij jo të gjerë në këtë rol. Por përtej një menaxhimit të përgjithshëm të mirë, ishin pikërisht këto momente që bënë diferencën në disfata të ngushta dhe një stabilitet në lojë, duke na kthyer edhe njëherë emocionet e së shkuarës ku luftonim qoftë dhe për një humbje dinjitoze.
Megjithatë duhet ta pranojmë se qartazi është krijuar një ajër europian në Kombëtaren tonë. Një ajër apo tis, i sjellë padyshim prej lojtarëve të rritur jashtë territoreve të Shqipërisë natyrore duke i dhënë një imazh e frymë të re asaj, si e vetmja ambasadore me peshë për momentin.
Në fund ekipi i Shqipërisë mbetet ende një kombëtare në zhvillim. Numri i talenteve sa vjen dhe shtohet, kjo edhe për shkak të një arsimimi futbollistik në shkollat europiane. Shtuar dhe me mirëedukimin në tërësi, këto janë vetëm disa nga shumë arsye që menaxhimi e thithja e tyre duhet të zhvillohet njëkohësisht me të. Aventura e sapo përfunduar nuk duhet parë aspak si një dështim, por si një fillim i ri që këtë herë vjen me më shumë eksperience, me më shumë potencial dhe me më shumë prestigj.
Top Channel