Në një mesazh të nënkuptuar për Serbinë, shefi i diplomacisë eropiane Josep Borrell deklaroi se mbajtja e marrëdhënieve të ngushta me regjimin e Vladimir Putinit, nuk është në përputhje me ndërtimin e së ardhmes europiane.
Komentet e tij, kryediplomati i bllokut i bëri pas një takimi të ministrave të jashtëm të BE-së n me ministrat e Jashtëm të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, për rritjen e bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe punëve të jashtme.
“Harmonizimi i politikës së jashtme dhe asaj të sigurisë nga vendet e Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian konsiderohet një zgjerim i zgjedhjes së tyre strategjike dhe përkushtim për anëtarësim. Mbajtja e raporteve të ngushta me regjimin e Vladimir Putinit nuk është në përputhje me ndërtimin e të ardhmes së përbashkët me dhe brenda Bashkimit Europian”, tha Borrell.
Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përveç Serbisë, i kanë harmonizuar vendimet me BE-në sa i përket sanksioneve kundër Rusisë. Që nga nisja e pushtimit më 2022, BE-ja ka vendosur 14 runde sanksionesh ndaj Rusisë në përgjigje të agresionit kundër Ukrainës. Borrelli e bëri të qartë se BE-ja është e gatshme të thellojë gradualisht integrimin dhe të zgjerojë mbështetjen për partnerët nga Ballkani Perëndimor.
Por, ai po ashtu e tregoi se Brukseli pret që këto shtetet të qëndrojnë në krah të europianëve në mbrojtje të rendit ndërkombëtar si edhe për çështjen e Ukrainës dhe masave të marra për të kundërshtuar pushtimin e saj prej Rusisë. Ministri i Jashtëm serb Marko Gjuriç, u shpreh pas takimit se vendi i tij pas hyrjes në Bashkimin Europian do të ketë politikë të përbashkët të jashtme dhe të sigurisë.
Top Channel