Socialistët nuk humbën kohë dhe përcaktuan të vetëm përbërjen e komisionit Antikorrupsion duke anashkaluar thirrjet e Shteteve te Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian të cilët kërkuan përfshirjen e opozitës në proces.
Në rendin e ditës së Parlamentit është futur projektvendimi i mazhorancës ku përcaktohen emrat e anëtarëve të strukturës së posaçme dhe kryetari i saj. Socialistët kanë vendosur t’i besojnë komisionin Antikorrupsion Fatmir Xhafajt, i cili udhëhoqi reformën në drejtësi, 8 vite më parë.
Demokratët refuzojnë të çojnë emrat e tyre, por për këtë kanë menduar koleget e tyre të majtë duke caktuar emrat e opozitarëve në këtë komision falë vendimit për ngritjen e kësaj strukture të posaçme, ku parashikohet se në përbërje të tij do të jenë kryetarë dhe zëvendëskryetar të komisioneve kryesore parlamentare.
Kjo do të thotë që në vendimin që do të votohet të enjten në seancë plenare janë përfshirë emrat e deputeteve demokrate, Jorida Tabaku si Kryetare e Komisionit për çështje Europiane, Dhurata Çupi si zëvendëskryetare e Komisionit të Ligjeve, Sorina Kote si zëvendëskryetare e Komisionit për Ekonominë dhe Financat, ndërkohë një karrige është rezervuar për përfaqësuesen e Lulzim Bashës, Flutura Açka e cila drejton Komisionet e Medias.
Demokratët kanë vendosur të mos behën pjesë as e Komisionit për Dezinformimin, të cilin Edi Rama ka vendosur t’ia besojë Erion Braçes.
Të majtët kanë përcaktuar vetëm gjysmën e përbërjes së Komisionit, ndërkohë që kanë përfshirë në këtë strukturë edhe aleatë të rinj dhe të vjetër të demokratëve, si Fatmir Mediu dhe Mesila Doda.
Ndërsa socialistët te enjten kanë vendosur të ecin para me vendimin e tyre demokratët kanë plane ë tjera, ata pritet te protestojnë brenda dhe jashtë sallës.
Top Channel