Avokati i Berishës u dhunua në kokë me dorezë metalike, Argita Malltezi për Top Channel: U sulmua për shkak të detyrës

29/05/2024 11:58

Argita Malltezi dhe kreu i Dhomës së Avokatisë, Fatmir Braka kanë vizituar tek spitali i Traumës avokatin Sokol Mëngjesi.

Argita Berisha për Top Channel: Avokati u sulmua për shkak të detyrës. Kush e njeh Sokolin e di sa njeri korrekt është. Nuk ka asnjë konflikt tjetër. Ai është në reanimacion nuk e takova dot por fola me familjarë dhe mjekë. Duhet të presim për të parë gjendjen e tij.

Burime nga urgjenca e spitalit të Traumës thonë se nga ekzaminimet e para avokati Sokol Mëngjesi ka dy fraktura në kokë.

Pritet t’i bëhen edhe ekzaminime të tjera, pasi këto janë rezultatet e para gjatë ekzaminimit me skaner.

Avokati i Berishës, Sokol Mëngjesi po linte fëmijën në kopsht kur u rrah barbarisht nga tre persona të paidentifikuar këtë të mërkurë.

Autorët e kanë gjurmuar avokatin kur ka dalë nga banesa e tij në zonën e ish-Bllokut dhe i kanë zënë pritë.

Incidenti ndodhi rreth orës 08:30 në kopshtin 31. Autorët, që paraprakisht dyshohet se ishin tre, e qëlluan 34-vjeçarin me dorezë metalike në kokë. Avokati u dërgua me urgjencë në Spitalin e Traumës.

Nuk dihen ende rrethanat e ngjarjes, ndërsa policia ka nisur kërkimet për identifikimin dhe më pas kapjen e autorëve.

Mësohet se ngjarja e rëndë ndodhi në pak sekonda, ndërsa policia ka marrë pamjet filmike në zonë për të identifikuar autorët.

Mëngjesi ushtron profesionin e avokatit prej vitesh, ndërkohë që ka zgjedhur të bëjë mbrojtjen e ish-kryeministrin Sali Berisha, në betejën ligjore me drejtësinë, pasi që prej dhjetorit të vitit të kaluar u la në arrest shtëpie pas hetimeve për privatizimin e ish-Kompleksit Sportiv, Partizani.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA